I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i ngarkuari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar po bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike që nga veriu i Kosovës të hiqen barrikadat.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak bën të qartë në Prishtinë, se nuk do që të përdoren buldozerët për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, por të ketë një zgjidhje diplomatike. Lajçak së bashku me të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, deri në orët e vona të ditës së martë qëndruan në Prishtinë ku zhvilluan takime me kryeministrin e Kosovës, Abin Kurti. Tensionet në veriun e Kosovës, plani franko-gjerman, apo siç tashmë njihet propozimi i BE-së dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ishin temat me të cilat Escobar dhe Lajçak, diskutuan me kryeministrin Kurti.
“Tensionet nuk i ndihmojnë askujt”
“Kam pasur diskutim të gjatë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse, jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha Lajçak. Sipas tij, “mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshje politike e jo me buldozer”.
Edhe i ngarkuari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar shpreson për një zgjidhje të shpejtë të krizës në veriun e Kosovës, ku prej një jave serbët lokalë po mbajnë të barrikaduara rrugët kryesore. Ai tha se “duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e kam bërë shumë të qartë këtë”. “Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë. Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i BE-së është këtu dhe shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij që të ecet përpara me propozimin franko-gjerman”, tha Escobar.
Nuk ka reagim për Asociacionin nga qeveria në Prishtinë
Themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Beogradi zyrtar e kërkon me këmbëngulje, madje që të ketë kompetenca ekzekutive, gjë që për Prishtinën zyrtare kjo është e papranueshme. Qeveria e Kosovës thotë se në takim me emisarët evropianë dhe amerikanë kishte ujdi që barrikadat në veri duhet të hiqen, por ajo nuk përmend askund që në takim është diskutuar për Asociacionin e komunave serbe dhe për planin franko-gjerman, pjesë të të cilit tashmë mediet në Prishtinë i kanë publikuar. “Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes. Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit.
Brnabiq zemërohet me Escobar
I ngarkuari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak, nga Prishtina të mërkurën udhëtojnë për në Beograd për takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka thënë se Serbia do të bëjë kërkesë zyrtare për t’i kthyer një mijë trupa ushtarake në Kosovë, bazuar siç thonë në Beograd “në rezolutën 1244 të KS-it”. Por, diplomati amerikan Escobar gjatë një interviste për mediet në Prishtinë, tha se SHBA-ja e hedh poshtë në mënyrë kategorike këtë kërkesë të Serbisë. Deklarata e Escobar nuk i ka pëlqyer aspak kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo shkroi në Twitter se “Gabriel Escobar, është një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”
Situata në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar ndonëse në tri ditët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident. Barrikadat e ngritura nga serbët lokalë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët ngritën barrikada në shenjë revolte siç thanë pasi Policia e Kosovës arrestoi një ish-polic serb Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare po bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave dhe të sigurohet liria e lëvizjes.