LajmeRajon

Petkoviq krahason Kurtin me Enver Hoxhën pasi refuzoi ftesën për Ballkanin e Hapur

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për refuzimin e pjesëmarrjes në mbledhjen e ardhshme të nismës Ballkani i Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke e krahasuar me liderin komunist shqiptar Enver Hoxha.

Në një deklaratë me shkrim sipas kësaj zyre, Petkoviq u shpreh se Kurti nuk beson në iniciativën e nisur nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, sepse ai “neveritet ideologjikisht me hapjen dhe lirinë, të cilën ai e konfirmon çdo ditë me politikën e tij izoluese”.

“Kurti nuk dëshiron që mallrat të lëvizin lirshëm dhe njerëzit të punësohen sepse programi i tij politik dhe ekonomik është reduktuar në krijimin e një vrime të zezë në Evropë, një vend i izoluar i rrethuar me mure nga pjesa tjetër e botës”, ka thënë Petkoviq.

Ai vlerësoi se Kurti, “si fëmijë ideologjik i Enver Hoxhës”, me një politikë të tillë “do të dëmtojë në radhë të parë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.

Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës Ballkani i Hapur, më 7 dhe 8 qershor në Ohër.

Duke thënë se Kosova është e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit, Kurti vlerësoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të bashkëpunojnë “për të penguar Serbinë që të promovojë interesat ruse dhe kineze në vendet e rajonit, duke mohuar pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe bllokimin e mundësive të barabarta për qytetarët e Kosovës”.

Kosova pritet të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk do të jetë pjesë e nismës Ballkani i Hapur. 

Show More

Related Articles

Back to top button