Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar për Vizion Plus, se asnjë nga viktimat e incidentetit në kanalin e La Manshit nuk është shtetas shqiptar.
Ndërkohë konfirmohet se shqiptar është një nga personat e shpëtuar nga tragjedia por nuk bëhet me dije identiteti i tij.
Temperaturat ishin nën zero dhe distanca nga bregu po ashtu shumë e largët nga vendi ku ndodhi incidenti.
Autoritetet britanike deri më tani kanë konfirmuar katër viktima dhe rreth 43 persona të shpëtuar.
Pjesa më e madhe e emigrantëve u shpëtuan nga një anije peshkimi që ndodhej pranë gomones e cila nisi të fuste ujë.
Anëtarët e bordit të anijes kanë folur për Sky News dhe janë shprehur të traumatizuar nga pamjet e ngjarjes.
Njëri prej tyre ka treguar se personat që ai shpëtoi ishin nga Afganistani, Senegali, Iraku dhe India. Ata i kishin thënë burrit se i kishin paguar trafikantit të gomones nga 5000 paund secili për t’I dërguar drejt Britanisë së Madhe.
Mijëra shtetas shqiptarë, përfshirë këtu edhe gra e fëmijë kanë kaluar ilegalisht përmes kanalit të La Manshit drejt Britanisë vetëm në dy vitet e fundit.