Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë bojkotuar fjalimin vjetor të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, fjalim ky që pritet të enjten në Kuvend.
Ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo e cila njoftoi se nuk do të merrte pjes në fjalimin e presidentes e një veprimi të tillë po i bashkangjitet edhe AAK-ja. Këta të fundit kanë thënë se presidentja ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saja.
“Presidentja Osmani ka dështuar t’i përmbushë obligimet e saj si presidente e vendit, për të përfaqësuar unitetin e popullit. Në shumicën e rasteve është në shërbim të kryeministrit, në funksion të agjendës së tij. Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së refuzon të marrë pjesë në adresimin e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
PDK-ja e vlerësoi fjalimin e sotëm si një tjetër spektakël i pushtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e 15 dhjetorit do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kjo seancë do të fillojë në orën 09:30.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit obligohet që së paku një herë në vit t’i drejtohet kuvendit.