Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, pranoi se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë.
Në fjalimin e saj të fundvitit në Kuvendin e Kosovës, Osmani tha se kjo situatë është “për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia i ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh përmes financimit të strukturave kriminale”.
Osmani tha se “bandat kriminale nuk do të mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë, edhe atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovës”.
Atyre, tha Osmani, s’ju pelqen zbatimi i ligjit.
“Por le ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues si dhe për frikësimin e kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, tha presidentja.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e di mirë se ushtria serbe s’mund të kthehet më kurrë në Kosovë.
“Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe mori një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë, ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, tha ajo.
Osmani i ka falënderuar policët, zyrtarët e sigurisë dhe ata të inteligjencës për punën që po bëjnë.
Osmani foli edhe për luftën në Ukrainë duke shtuar se kjo luftë tregon se akomodimi i autokratëve dhe atyre që kanë tendenca hegjemonike asnjëherë nuk është rruga e duhur
“Kjo luftë po tregon se akomodimi i autokratëve dhe atyre që kanë tendenca hegjemonike asnjëherë nuk është rruga e duhur. Ukraina po e dëshmon sot si Kosova më 1999 se askush nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për liri. Populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës e së keqes, agresorit e viktimës. Kosova ka zgjedhur gjithnjë të qëndrojë në anën e drejtë të historisë”, tha Osmani./arbresh.info/