BotaLajme

Prilepi fitues i çmimit të BE-së për komunën më të gjelbër

Ambasadori Dejvid Gir, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, sot do të vizitojë Prilepin, ku do t’i dorëzojë kryetarit Borce Jovçeski çmimin për komunën më të gjelbër.

Delegacioni i Bashkimit Evropian e promovoi “Çmimin e komunës më të gjelbër” si pjesë e fushatës së tij për rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimit të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Në thirrjen e hapur, të shpallur më 3 mars 2022 me rastin e Ditës Botërore të Kafshëve të Egra, të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut janë ftuar të aplikojnë duke paraqitur shembujt e tyre më të mirë të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në vitin 2021.

Në thirrje morën pjesë tetë komuna – Berovë, Qendër (Shkup), Kavadar, Ohër, Pehçevë, Prilep, Tetova dhe Zelenikova, duke prezantuar aktivitetet e tyre udhëheqëse që kontribuan për një mjedis më të mirë në vitin 2021. Bordi vlerësues, i përbërë nga ekspertë të Delegacionit të BE-së, Gou Grin, Eco-ndërgjegjja dhe një përfaqësues i Jurop Haus, vendosi Kavadarin dhe Prilepin në listën e ngushtë për inspektime të mëvonshme në terren për të verifikuar informacionin e paraqitur në aplikacionet e tyre.

“Bordi Vlerësues e njohu Prilepin si komunë që ka demonstruar më së miri praktikën ekologjike në fushën e menaxhimit të mbeturinave në vitin 2021. Ambasadori Dejvid Gir do të ketë nderin që më 6 qershor 2022 në Prilep t’ia dorëzojë çmimin për “Komuna më e gjelbër 2021” kryetarit Jovçeski, thuhet në kumtesën e Delegacionit të BE-së në Shkup.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet në kuadër të konferencës “Praktika më e mirë për menaxhimin e mbetjeve komunale – Sepse nuk kemi planet rezervë” organizuar në kuadër të projektit të BE-së për komunat financuar nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të vizitës “BE me TY” në Prilep, ambasadori i BE-së Gir do të vizitojë Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza – investim i BE-së me vlerë tetë milionë euro që përmirëson cilësinë e ujit dhe cilësinë e jetës së banorëve të Prilepit nga viti 2019. Më pas, ambasadori Gir dhe kryetari Jovçeski do të vizitojnë Liqenin e Prilepit, statusi i të cilit si kompleks sportiv dhe rekreativ në harmoni me natyrën është përmirësuar me mbështetjen e BE-së në vlerë prej 0,47 milionë euro.

Ambasadori Gir do të takohet me organizatat e shoqërisë civile nga Prilepi për të diskutuar çështjet lidhur me të rinjtë, fuqizimin e romëve dhe infrastrukturën më të mirë të çiklizmit.

Show More

Related Articles

Back to top button