LajmeMaqedoni

Taravari: Të ndërpritet emërtimi Dimovskit si ambasador, Franca të refuzojë nëse propozohet

Kemi thirrur këtë konferencë për shtyp për të protestuar kundër dërgimit të mundshëm të Viktor Dimovskit si ambasador në Francë.

Sipas informatave që kemi, Dimovski më herët ka marrë agremanin nga autoritetet franceze, por dërgimi i tij në Paris është zvarritur për shkak të kalkulimeve brenda koalicinionit qeveritar për zëvendësimin e tij në krye të Agjencisë për Siguri Nacionale.

Natyrisht, procedura për dekretimin e tij ka marrë një dimension tjetër pas plasjes së skandalit Onishçenk, në qendër të së cilit gjindet Dimovski. Siç e kemi thënë edhe më herët, skandali Onishçenko ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë nacionale dhe ka minuar regjimin e sanksioneve të SHBA-së dhe politikën e jashtme të BE-së.

Vlerësoj se Viktor Dimovski është kandidat i papërshtatshëm dhe i padenjë për të ushtruar funksione diplomatike dhe përfaqësuar vendin, edhe atë, për shumë arsye.

  1. E kaluara e Dimovskit ngre shqetësime kur bëhet fjalë për lidhjet e tij të ngushta me Serbinë, të theksuara nga partnerët tonë amerikanë dhe tanimë të njohura edhe nga publiku.
  2. Si drejtor i Agjencisë për Siguri Nacionale, Dimovski është shquar për lëshimin e çertifikatave të sigurisë për individë të korruptuar dhe nën hetime. Dimovski ka shkelur të drejtat themelore të më shumë se 20.000 qytetarëve të këtij vendi, të cilëve u është mohuar në mënyrë arbitrare shtetësia e Maqedonisë së Veriut nga Agjencia e Sigurisë Nacionale. Në mënyrë krejt ironike duke marrë parasysh skandalin Onishçenko, qytetarëve tonë u është mohuar shtetësia shpeshherë nën arsyetim totalitar se ata paraqesin rrezik për shtetin. Kujtojmë se ky numër prej më shumë se 20.000 aplikimeve të bllokuara nga Dimovski është dhënë publikisht nga kryeministri Kovaçevski.
  3. Nuk ka asnjë dilemë se Dimovski mban përgjegjësi në skandalin Onishçenko, si drejtor i Agjencisë së Sigurisë Nacionale. Dimovski kishte autoritetin përfundimtar në dhënien e mendimit pozitiv për oligarkun rus dhe duhet të japë llogari për këtë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen dhe duhet të shkojnë deri në fund. Nga vetë fakti se qeveria ia ka marrë shtetësinë Onishçenkos pas presionit të partnerëve ndërkombëtarë, tanimë është pranuar se ka patur shkelje, dhe rrjedhimisht duhet të ketë edhe llogaridhënie.

Andaj, kam tri kërkesa drejtuar institucioneve të vendit dhe miqëve tonë francezë :

E para, kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme që të publikojë menjëherë raportin e hetimit në lidhje me përgjegjësinë e Agjencisë së Sigurisë Nacionale në skandalin Onishçenko. Interesi i përgjithshëm imponon që qytetarët dhe prokuroria të dinë të vërtetën për këtë rast korruptiv i cili nuk guxon të diskutohet më vetëm në seanca të mbyllura mbrapa syve të publikut.

E dyta, kërkoj nga Presidenti Pendarovski që të refuzojë dekretimin e Dimovskit për arsyet që sapo dhash. Nga Presidenti i vendit, pritet mbrojtja e interesit shtetëror dhe i raporteve me aleatët, dhe jo ulje në nivel të pazareve midis partive politike për një individ të komprometuar dhe të padenjë për pozitë ambasadori.

Dhe e treta, nëse megjithatë Dimovski dekretohet, inkurajojmë miqtë tonë francez që të mos e pranojnë të njëjtin si ambasador në Paris. Si evropian i bindur, si adhurues i Francës dhe i vlerave të saj iluministe dhe humaniste, besoj se prania e Dimovskit në korin diplomatik të akredituar në Paris do të ishte një fyerje për Francën. Individi në fjalë është saktësisht e kundërta e asaj që përfaqëson Franca. Për më tepër, dua të besoj se Franca nuk do të lejojë që të përdoret si mburrojë duke i dhënë imunitet diplomatik një individi të përfshirë në një skandal të tillë me përmasa ndërkombëtare, pa u dëshmuar pafajësia e tij.

SHBA-të e kanë refuzuar Fërçkovskin, BE e ka refuzuar Arifin, uroj dhe shpresoj se Franca do të refuzojë Dimovskin, që njëherë e përgjithmonë të ndalen talljet me partnerët tonë kryesorë, pa të cilët nuk do të ishim as në NATO as në pritje të hapjes së negociatave për BE.

Show More

Related Articles

Back to top button