BotaLajmeMaqedoni

Ambasada e SHBA-së: Mbesin në fuqi sanksionet për Mijallkovin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në qëndrimin për të dënuar krimin dhe korrupsionin. Të pyetur nga ALSAT për të komentuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për përgjimin masiv dhe “shpëtimin” e vazhdueshëm të Mijallkovit nga vuajtja e dënimit me burg, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup thotë se pavarësisht vendimeve të tilla sanksionet amerikane për ish shefin e DSK-së mbeten në fuqi.

“Përkundër vendimeve të fundit gjyqësore për rastin “Target-Fortesa”, sanksionet e SHBA-së kundër Sasho Mijallkovit mbeten në fuqi”, njoftojnë nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.

Ndërkohë ekipi amerikan për sanksionet pritet të kthehet sërish në Maqedoninë e Veriut për të “shkundur” institucionet dhe zyrtarët e korruptuar. Sipas ambasadës së SHBA-së vizita e fundit e tyre, nuk është e vetmja.

“Ekipi nga Uashingtoni u largua nga Maqedonia e Veriut dhe kjo ishte vizita e parë nga disa të tilla në vend”, thonë nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.

Nga ana tjetër zyra e BE-së thotë se po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit, por nuk ndërhyn në raste individuale dhe nuk komenton proceset gjyqësore.

“Është në interes të të gjithë qytetarëve që puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Është e rëndësishme të procesohen të gjitha rastet e iniciuara nga ish-Prokuroria Speciale (PSP), duke bartur përgjegjësi edhe për monitorimin e paligjshëm të komunikimeve (përgjimet) në mënyrë që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor”, theksojnë nga Zyra e BE-së, Shkup.

Zyra e BE-së rikujton se është kundër vetting-ut në Gjyqësor e Prokurori derisa vendi nuk i shterë të gjitha mekanizmat ekzistues, siç e bëri të qartë Komisioni i Venecias, në raportin për vitin 2022. Komisioni ka dhënë rekomandime të qarta se si të përmirësohet funksionimi i gjyqësorit duke përdorur institucionet dhe mekanizmat ekzistuese. Zbatimi i strategjisë së reformës në drejtësi duhet të bëhet në mënyrë më sistematike. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të vazhdojnë me angazhimin e tyre për respektimin e plotë të parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e transparencës, duke garantuar njëkohësisht integritetin e të gjithë bartësve të funksioneve gjyqësore, duke përfshirë përdorimin efektiv të procedurave disiplinore. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button