LajmeMaqedoni

Opozita: Fajin për rënien e besimit në institucione e mbart pushteti

Opozita fajëson pushtetin për rënien e besimit të qytetarëve në institucione. Sipas VMRO-DPMNE-së, qytetarët dëshmuan se qeveria nuk është duke lëvizur në drejtim të duhur dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ajo që e tregon situatën reale në shtet dhe se sa shteti është i pakënaqur me punën e kësaj qeveria është treguar në anketën e IRI-t në pyetjen “A mendoni se Republika e Maqedonisë shkon në drejtimin e duhur” dhe 58% e të anketuarve thonë se NUK shkon në drejtimin e duhur. Këtu bëjnë pjesë edhe ata që janë përcaktuar për BDI-në, për LSDM-në, për partitë e tjera, për Të Majtën dhe VMRO-DPMNE-në. Dhe, çdo ditë dëgjon anëtarët dhe përfaqësuesit e qeverisë që mburren se e janë përballuar mirë me krizën energjetike, ekonomike, madje edhe me atë të KOVID. Por hulumtimi i IRI-së tregon se qeveria ka një perceptim të gabuar, ata thjesht nuk e dinë se çfarë po bëjnë”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami thotë se duhet të punohet në rikthimin e besimit duke treguar rezultate në realizimin e politikave.

“Ky është një rezultat i një realiteti me të cilin ballafaqohemi. Unë do të kisha dashur që të ketë qasje serioze të të gjithë bartësve të institucioneve publike duke nisur nga institucionet qendrore, qeveria dhe gjyqësori, sigurisht edhe institucionet e tjera që dalëngadalë ne të rikthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet. Politikisht nuk është fokusi jonë tek rejtingu, tek matjet e opinionit publik, fokusi jonë është që të zhvillojmë politikat partiake në drejtim të promovimit të ofertës tonë politike por njëherësh edhe të rezultateve që duam të tregojmë në pushtetin lokal aty ku jemi, në Tetovë dhe Zhelinë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Aleanca për Shqiptarët thotë se keqqeverisja dhe korrupsioni janë arsyet e rënies së besimit.

“Politizimi i institucioneve shtetërore, sidomos këto 20 vitet e fundit, e bën të veten. Kolapsi i sistemit të drejtësisë dhe pandëshkueshmëria për shkak të politizimit të gjyqësorit, paafatësia e Qeverisë për të adresuar nevojat e qytetarëve për më tepër investime, vende të reja pune dhe për t’u përballur me krizën ekonomike dhe energjetike, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Të gjitha këto kanë një sqarim të vetëm: keqqeverisja dhe korrupsioni po pengojnë zhvillimin normal të shtetit dhe rrisin dëshpërimin tek qytetarët”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button