Nuk kanë të ndalur gabimet në tekstet shkollore të arsimit fillor. Pas gabimeve në Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë, gabime tashmë janë nënvizuar edhe në librin e gjeografisë për klasën e tetë. Në temën e dytë të librit “Karakteristikat socio-gjeografike dhe ndarja rajonale e Evropës” në njësinë mësimore “Karakteristikat themelore të popullsisë së Evropës” thuhet se popuj të racës së verdhë në Evropë janë: finlandezët, hungarezët, turqit, tatarët dhe të tjerë. Mësimdhënësit lëndor shprehen të revoltuar për gabimet e vazhdueshme duke shtuar se të njëjtat po vështirësojnë realizimin e duhur të procesit mësimor duke shkaktuar konfuzion te nxënësit.
“Librat me gabime të këtilla po na shkaktojnë kokëçarje të mëdha sepse ne profesorët lëndor që jemi mundohemi ta shpjegojmë një të vërtet historike por në anën tjetër kur po ballafaqohen fëmijët, nxënësit konkretisht me librin përballë që e kanë në shtëpi gjithmonë po shkakton kokëçarje te ne sepse kur po shpjegojmë të vërtetën dhe dezinformatat që janë në libër tek nxënësit po shkaktohet një konfuzion të madh”, tha Mevludin Sulejmani, mësimdhënës i historisë.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se deri në fund të javës do të përmblidhen të gjitha vërejtjet e raportuara për tekstin Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë. Shërbimi pedagogjik do të jep raport në bazë të të cilit do të vendoset nëse teksti do të tërhiqet apo do të intervenohet me korrigjimet e duhura. Sipas Shaqirit, procedura duhet të përfundojë deri në përfundim të gjysmëvjetorit të parë, ndërsa tha se do të kërkojë edhe përgjegjësi.
Nga Aleanca për Shqiptarët konsiderojnë se arsimi në Maqedoni është në gjendje kaotike duke nisur nga ai parashkollor e deri në atë të lartë.
“Sa vite duhet të kalojnë deri sa të korrigjohen librat? A jeni të vetëdijshëm për dëmin që i bëni kësaj rinie e këtij populli? Në asnjë prej librave që përdorin nxënësit tanë, asnjëri prej autorëve të parë nuk është shqiptar. Paramendoni, 1/3 e popullatës me universitet shtetëror, me dy fakultete pedagogjike shtetërore dhe me ministra të arsimit shqiptar gati 20 vite, në asnjë libër të botuar nuk kemi autor shqiptar! Jo që s’kemi akademikë të denjë për të qenë autorë, por ju i demotivuat ata”, deklaroi Arianit Reka, ASH.
Kujtojmë se në librin Histori dhe Shoqëri për klasën e pestë thuhet se në lindje Maqedonia e Veriut kufizohet me Shqipërinë ndërsa në perëndim me Bullgarinë. Ndër gabimet tjera ishte edhe paraqitja e Malit Mont Everest ku shkruhet se ka lartësi prej 29 305 metra ndërkohë që lartësia e saj është 8.849 metër. /Alsat.mk