Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është fotografuar duke hyrë në objektin e Qeverisë.
Jo zyrtarisht mësohet se Hovenieri do ta takojë kryeministrin Albin Kurti, për të biseduar lidhur me situatën aktuale në veri të Kosovës.
Duhet theksuar se që nga fillimi i dhjetorit në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok-bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.
Kosova ka rritur prezencën e Policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërkaq për shkak të barrikadave janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Aktualisht, sipas autoriteteve, në veri janë ngritur nëntë barrikada.
Së fundi, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë kërkuar heqjen e barrikadave në veri. Po ashtu edhe Gjermania ka qenë e zëshme, duke kërkuar me patjetër që barrikadat të largohen dhe të krijohet lëvizja e lirë. /telegrafi