LajmeRajon

Stafi futi foshnjën e pajetë bashkë me çarçafët në lavatriçe, dëshmia tronditëse e babait: Tmerri më i madh që mund të shikoja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku një foshnjë e lindur pa shenja jete është futur në lavatriçe e mbështjellë me çarçafë nga personeli mjekësor.

Babai i foshnjës në një lidhje telefonike në emisionin “Shqipëria Live” tha se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për rastin.

Ai u shpreh se stafi i kërkoi që të mos bëhej publik rasti, për të mos dëmtuar imazhin e spitalit.

“Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë të javës së kaluar, po bëhen gati dy javë që ka ndodhur rasti. Shkuam në spital për të vazhduar me procedurat e tjera me marrë foshnjën me e varros. Aty e kishin përzi me ca çarçafë dhe e kanë vendosur, insistonin dhe derisa e kuptuam se çfarë ka ndodhur saktësisht. Pamë personat që shkonin sa lart sa poshtë. Shkuam poshtë tek lavatriçja, pas tyre dhe i pamë një njeri prej stafit që vazhdonte të kapte copat e trupit të foshnjës. Me i vendos në qese, ishte tmerri më i madh që munda të shikoja, është rast jo i zakonshëm, është shumë i ndjeshëm, rast që nuk duhej të ndodhte brenda një spitali, mos përgjegjësi, neglizhencë e punës”, tha babai.

“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për rastin, më kërkuan që të mos e bëja publike. Insistuan që mos të thërrisnim policinë, infermierja kryesore nuk arsyetoi me ndonjë mënyrë por s’donte që të bëhej diçka e madhe. Gruaja e mori lajmin prej mediave dhe unë nuk kam mundur të jem afër. Është tronditëse, nuk e ka dit askush, as prindërit e mi, madje njëri prej prindërve nuk e di çfarë ka ndodhur. Më e rënda është kur e kemi çu foshnjën me mbulesë dhe i thashë që nuk lejohet sepse e ka mbështjellë spitali mirë”, shtoi ai.

Sipas informacioneve, gruaja është informuar nga gjinekologu personal se foshnja kishte probleme me zemrën dhe ajo e dinte që ishte pa jetë, ndërsa kishte shkuar në spital për t’iu nënshtruar operacionit.

Përmes një operacioni çezarian është bërë e mundur heqja e foshnjës dhe më pas ka ndodhur ngjarja e rëndë.

Deri më tani janë pezulluar nga puna 7 pjesëtarë të personelit të spitalit të Pejës pasi, dyshohet se për shkak të pakujdesisë së tyre foshnja e pajetë është mbështjellë me çarçafët dhe më pas është futur në lavatriçe.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi, tha se babai i foshnjës ishte ankuar në polici pasi bashkëshortja e lindi foshnjën pa shenja jete, ndërkohë që ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.

Gashi tha se familjarët e foshnjës kanë insistuar për ta marrë trupin e saj për ceremoninë e varrimit, por stafi mjekësor u kishte thënë se foshnja nuk mund të merrej deri të nesërmen.

Show More

Related Articles

Back to top button