LajmeRajon

BE: Ligji për Paga e ai për Zyrtarët Publikë u miratuan pa rekomandimet tona

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka deklaruar se BE-ja është e shqetësuar për disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publikë që është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.

BE-ja vlerëson se komentet e SIGMA-s për këtë ligj dhe për Ligjin për Paga nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të tyre. Sipas BE-së, përmes Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, shërbimi civil bëhet potencialisht i pambrojtur ndaj politizimit. 

“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ligjin për Zyrtarët Publikë është kundërshtuar ashpër nga opozita në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Ali Sefaj, përfaqësues i shoqatave sindikale të shërbyesve civilë të nivelit qendror, ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se as masat e dhunshme nuk do të mund të nxirrnin Ligj më të keq për zyrtarët publikë se ai që është miratuar në Kuvendin e Kosovës të enjten.

“Ligji për zyrtarët publikë është diskriminues, sikur ta kishin nxjerrë masat e dhunshme nuk do të mund të prodhonin ligj më të keq për administratën shtetërore. Ligjin të cilin e kanë aprovuar sot është ligj që do ta rrënojë administratën shtetërore dhe memorien institucionale të saj. Ky projektligj nuk është që e ka hartuar grupi punues që ka qenë i themeluar për ta hartuar këtë projektligj, është hartuar nga njerëz që e njohin fare pak administratën shtetërore. Duke filluar nga sindikatat, grupet punues, kolegjiumi i drejtorëve, asociacioni i komunave, BE-ja, Sigma, KDI-ja, GLPS-ja etj, kanë adresuar shqetësime dhe vërejtje”, ka thënë Sefaj.

Show More

Related Articles

Back to top button