Festa e Krishtlindjeve shqiptare ka filluar në Shkupin e Nënë Terezës, kryeqendra e krishterimit shqiptar, me një ceremoni të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve në Shkup në nderim të Shën Nënë Terezës dhe komunitetit shqiptar katolik.
Një organizim ky jo në Kishën Katolike të kryeqendrës së Dardanisë, ku kishin meshuar në gjuhën shqipe axhë e nip Andrea e Pjeter Bogdani e deri te Don Gasper Gjini, por në një sallë brenda ndërtesës së ITKSHSH-së në Shkup, një institucion ky që lirisht mund të themi se luan rolin e një akademie duke nxjerr botime e publikime historike mbi trashëgiminë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.
Në këtë ngjarje ishin prezentë personalitete të shumta fetare, kori diplomatik i akredituar në Shkup. Përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, dhe të pranishëm të tjerë nga komuniteti katolik shqiptar në Shkup, por si zakonisht për faqen e zezë të tyre, jo edhe përfaqësues të partive politike shqiptare e as përfaqësues shqiptar nga Qeveria e MV-së.
Në fjalën e rastit drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Skender Asani, tha se tani kur po festojmë Krishtlindjet, duam të theksojmë edhe një herë fuqishëm se më e fortë se fara e urrejtjes e keqkuptimit, është fara e dashurisë dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor… “Vetëm duke i mbrojtur të tjerët nga vetvetja, mund të themi se kemi arritur ta kuptojmë esencën e filozofisë paqësore të Nënës Tereze. Kaloi një vit dhe ne sërish po mblidhemi këtu në ITSHKSH, në këtë ceremoni solemne për të kremtuar festën e Krishtlindjeve në Shkupin tonë, për të dërguar një mesazh se atë që premtuam vitin e kaluar, po e mbajmë dhe po e kujtojmë një traditë që dikur ishte pjesë e jetës sonë urbane këtu në Shkupin e Pjetër Bogdanit, Nënë Terezës, Gaspër Gjinit”, u shpreh tutje z. Asani.
Kaloi një vit, por festa e Krishtlindjeve sërish na fton të jemi më afër njëri-tjetrit, sidomos në një kohë kur globi ndodhet i kapluar nga trazirat, uria dhe dyndjet e popujve.
“Betejat njerëzore për më shumë liri dhe dinjitet, kanë qenë gjithmonë gurë peshoreje që kanë matur vlerat dhe jovlerat, që kanë determinuar kufijtë në mes të mirës dhe të keqes. Dhe një festë si kjo që po e shënojmë sot, është një dritë më shumë në tunelin e gjatë të mosmarrëveshjeve në mes të njerëzve. Kjo është edhe arsyeja që ne si Institut kemi zgjedhur pikërisht rrugën e dritës për ta bërë më të dukshme rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një mirëkuptimi shoqëror, pa dallim përkatësive fetare e kombëtare”.
Gjithnjë sipas kreut të ITKSHSH-së, e gjithë kjo kauzë nuk ka mundur të zhvillohet pa i pas parasysh dhe disa porosi të Nënës Terezë, e cila çelësin e mirëkuptimit njerëzor e shihte te dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. Nisur nga ky fakt, ne si Institut po mundohemi që pikërisht mbi këto porosi të ndërtojmë edhe diskursin tonë publik, madje edhe atëherë kur trashëgimia e Nënës Terezë cenohej dhe dëmtohej, siç ndodhi me shkatërrimin e bredhit që ajo e kishte mbjellë në sheshin e Shkupit. Megjithatë ne zgjodhëm një rrugë krejt tjetër për ta kompensuar këtë dëm, pikërisht në frymën e porosive të Nënës Terezë, duke shpërnda dashuri dhe ngrohtësi, aq shumë të munguara, në mes të njerëzve përmes boçave që kishin ngelë nga bredhi i shkatërruar. Për rrjedhojë, tani në vend të një bredhi kemi parqe të tëra në Tiranë e Prishtinë që lindën nga farat e bredhit të shkatërruar të Nënës Terezë në Shkup.
“Tani kur po festojmë Krishtlindjet, ne si Institut duam të theksojmë edhe një herë fuqishëm se më e fortë se fara e urrejtjes e keqkuptimit, është fara e dashurisë dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, dhe apelojmë që secili nga ne të mbjell nga një bredh dashurie në zemër, sepse vetëm kështu i bëjmë të ndjehen më mirë ata që janë pranë nesh. Vetëm duke i mbrojtur të tjerët nga vetvetja, mund të themi se kemi arritur ta kuptojmë esencën e filozofisë paqësore të Nënës Terezë”.
Krishtlindjet që po i shënojmë sivjet, si vazhdimësi e një tradite të filluar nga viti i kaluar, do të donim të sjellin edhe një qasje krejt tjetër sa i përket trajtimit të problemeve me të cilat ballafaqohet aktualisht komuniteti katolik shqiptar në Shkup dhe më gjerë. Këto Krishtlindje përpos që janë edhe një kujtim për të gjithë ata që u larguan nga Shkupi, ato janë edhe një alarm për gjithë ne që Komuniteti i Nënës Terezë në forma të ndryshme ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm, sepse pa këtë shkëlqim duket e zbehtë edhe festa e Krishtlindjes. Një përpjekje modeste në rikthimin e këtij shkëlqimi po bëjmë edhe ne si Institut, bashkë me Departamentin për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë, duke sjellë në vëmendje nevojën për rigjallërimin e komunitetit katolik shqiptar në Shkup, proces ky që duhet të fillojë me rikthimin e meshës në gjuhën shqipe një kërkesë kjo e jona e kahershme dhe veprimet tjera përcjellëse që do ta bënin këtë komunitet të dinjitetshëm në të gjitha pikëpamjet, ka thënë ndër të tjera drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, z. Skender Asani.
Nga Ipeshkvia e Kosovës Dom Lush Gjergji, në fjalën e tij të rastit tha se historia e njerëzimit ndahet në dy pjesë themelore: para dhe pas Krishtit. Pyetja kryesore është kjo: çka ka ndryshuar me lindjen, ardhjen, mishërimin e Jezu Krishtit prej Virgjëreshës Mari në shpellën e Betlehemit? Shumë, gjithçka, tha Dom Lush Gjergji, pasi Zoti dhe Njeriu nuk janë më të largët, të panjohur, armiq, por afër-bashkë, sepse Ai erdhi për ta nderuar, përmirësuar, pajtuar njeriun me Zotin, të afërmin, vetveten, u shprehë ndër të tjera në fjalimin e tij Don Lush Gjergji.
Ndërsa, gazetarja e njohur dhe aktivistja e komunitetit shqiptar në Shkup, Dijana Toska në fjalën e rastit foli për trininë shqiptare, e cila sipas saj, personifikohet përmes tre burrave shqiptarë – Presidentit Ibrahim Rugova, ish-Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi dhe ish-Kryeimami i Kosovës, Rexhep Boja. Këta burra shqiptarë, tha Dijana Toska, përfaqësojnë harmoninë dhe mirëkuptimin kombëtar e fetar dhe ata ishin frymëzim për një shoqëri të tërë, e cila i rezistoi represionit millosheviçian në vitet e nëntëdhjeta. Ajo porositi që kjo frymë mirëkuptimi të kultivohet edhe në ditët e sotme, dhe kjo mund të bëhet duke përgatitur një strategji për organizimin e jetës liturgjike në gjuhën shqipe në Shkup.
Ky solemnitet u përcjellë edhe me pjesën e artistike, filimisht përmes pjesëve instrumentale: “Natë e qetë” dhe “Baresha”, të interpretuara nga çifti Starova-Memeti dhe në fund paraqitja simpatike e korit të fëmijëve “Fluturat”, udhëhequr nga Arjana Kuriu-Grubi.
Urime Krishtlindjet nga Shkupi i Nënë Terezës!