LajmeMaqedoni

Analistët: Akt jashtëzakonisht primitiv kushtëzimi i ndryshimeve kushtetuese me zgjedhje

Pas pranimit të propozimit francez, ndryshimet kushtetuese i nënshtrohen realizimit formal dhe çdo kundërshtim është strategjikisht irracional, thotë politikologu Ivo Rangelloviq në një prononcim për Indeks.mk

“Shantazhet për këtë proces janë të bazuara në interesa partiake, por jo në interesa kombëtare, ndaj nuk përfaqësojnë asnjë substancë. Prandaj, është një akt jashtëzakonisht primitiv, por tipik për diskursin politik të brendshëm, të mbash peng integrimin europian të vendit për një lloj zgjedhjesh të parakohshme. Nëse edhe pas disa dekadash të shtetësisë, partitë në Maqedoni i shohin zgjedhjet si prioritete, është e pashmangshme të konstatohet se nuk kanë zhvilluar asnjë sens për realizimin e qëllimeve strategjike dhe kombëtare”, deklaroi Rangelloviq.

Analisti politik Besim Nebiu thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare vetëm se do ta vononin procesin e negociatave pa ndonjë dobi të prekshme si kundërvlerë për këtë vonesë.

“Kjo është kërkesë dhe pozicion partiak i VMRO-së, e cila do ta përkrahë këtë akt, vetëm në rast se vjen në pushtet, pra ajo udhëhiqet ekskluzivisht nga dëshira partiake për të qenë në pushtet, pa e parë si parësor interesin e shtetit për të ecur para në hapat integrues”, deklaroi Nebiu për Indeks.mk

Edhe analisti politik Enver Salihi vlerëson se kushtëzimi i ndryshimeve kushtetuese me zgjedhje është një shkurtë-pamje politike nga aktor të ndryshëm në skenën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Në momentin kur kemi konflikt Rusi-Ukrainë dhe ne si shtet demokratik duhet të orientohemi ka familja jonë europiane disa parti politike vetëm e bëjnë me barrë këtë proces aq të komplikuar si nga jashtë ashtu edhe nga aktorët përbrenda shtetit. Mendoj se këto deklarata jepen nga dëshira për të përfituar pikë politike dhe se për tu bërë protagonist gjë që është me rrezik të lartë mbi perspektivat tona drejtë BE-së. Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin shpejtë dhe pa kushtëzime sepse nuk ka vlerë më të madhe se vazhdimi i rrugëtimit tonë drejt BE-së” tha Salihi për Indeks.mk

Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami, por edhe ai i VMRO-DPMNE-së dhe i Levicës kërkojnë zgjedhje të parakohshme si kompromis për ndryshimet kushtetuese. Por kjo kërkesë e tyre bie ndesh me angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vendeve evropiane mike të Maqedonisë së Veriut të cilët kërkojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese pa vonesa dhe pa kushte, me qëllim që vendi të vazhdojë rrugën e trasuar ndër vite për anëtarësim në BE. (Indeks.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button