Nuk pranoj kushte për ndryshimet kushtetuese. Kështu kryeministri Kovaçevski iu përgjigj kreut të lëvizjes Besa Bilall Kasamit, një ditë pasi ky i fundit tha se do t’i mbështesin ndryshimet vetëm nëse ka zgjedhje dhe nga Kushtetuta hiqet edhe 20% për gjuhën shqipe.
“Ne filluam negociatat me BE-në në vijim është skrining procesi dhe tani gjithçka varet nga ne. Andaj kjo çështje është çështje e parimeve nëse dikush e mbështet rrugën evropiane ose nuk e mbështet rrugën evropiane. Kushtëzime për kështu çështje janë të papranueshme. Në vend të kësaj unë bëj thirrje, bëja thirrje dhe do të bëj thirrje në konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për rrugën evropiane të shtetit”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeminitër i RMV-së.
Ministri i punëve të Jashtme, Bujar Osmani beson se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin pasi opozita nuk është kundër përmbajtjes së ndryshimeve kushtetuese.
“Mendoj se do ta shqyrtojnë deri në fund të vitit se është qasje e gabuar dhe unë pres se do e përmbyllim këtë proces. Pse besoj, vetëm për faktin se askush nuk ka kundër përmbajtjes së procesit, tjetra është formë, koreografi, qëndrim partiak politik. Këtë do e menaxhojmë”, tha Bujar Osmani, Ministër i P. Jashtme.
Në kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve të kryeministrit Kovaçevski dhe ministrit Osmani, kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka shkruar se kryeministri Kovaçevski nuk ka kapacitetin politik dhe legjitimitetin për të udhëhequr me Qeverinë, andaj devijon qëndrimet e Lëvizjes BESA.
“Kur flasim për ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qëndrimin e saj se kërkon që të hiqet termi “20%” dhe të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”. I nderuar kryeministër, çdo kush që është kundër gjuhës së një populli e sidomos në rrethanat e Maqedonisë së Veriut detyrimisht është edhe kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian!”, u shpreh Bilall Kasami, Lëvizja BESA.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE thonë se mbështesin çfarëdo iniciative të sinqertë për rrëzimin e pushtetit.
“Mendojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme gjatë vitit të ardhshëm janë të pashmangshme, për shkak se situatat janë alarmante dhe do të kemi situatë edhe më dramatike, kemi ende vend të bllokuar në korrupsion, krim dhe krizë ekonomike, vend pa negociata në BE dhe me një sërë kushtëzimesh që të njëjtat të fillojnë, mirë do të ishte që Kovaçevski vetë të tërhiqet dhe të mos e rrezikojnë më tepër shtetin”, deklaroi Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Misajllovski vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme ndërsa Kasami thotë se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është e shumicës së qytetarëve. /Alsat.mk