Nuk është e mundshme ndërtimi i një shoqërie demokratike nëse njëra [pakicë] është ekskluzivisht e privilegjuar gjatë tërë kohës, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën për median boshnjake “Istraga” kur u pyet rreth (mos)formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti la të kuptohet se komuniteti ose pakica serbe është privilegjuar në Kosovë, por se një gjë e tillë s’duhet të jetë kështu. “Sepse privilegji ndaj dikujt do të thotë diskriminim ndaj dikujt tjetër”, tha ai, derisa edhe shtoi se “nuk e kemi veç një pakicë”.
Kërkesën e Beogradit, që njëherit është edhe e vendeve të QUINT’it për themelimin e Asociacionit si marrëveshje e ratifikuar edhe në Parlamentin e Kosovës, e quajti “kërkesë kundër barazisë”.
Këtë Asociacion, Kurti thotë se Beogradi dëshiron ta përdor si “armë kundër pavarësisë së Kosovës dhe jo si diçka që sjell përfitime për serbët e Kosovës”.
“E kam thënë disa herë në Bruksel se e kam përshtypjen që Serbia nuk dëshiron Asociacion të komunave. Sepse, po ta donte njëmend, nuk do ta përsëriste çdo javë se kurrë s’do ta njohin Kosovën”.
Një gjë e tillë, tha kryeministri, në njërën anë të kërkohet Asociacion dhe në anën tjetër të thuhet se “nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës” do të thotë “të kërkosh diçka me përmbajtje por pa formë”.
“Nuk është e mundshme kjo”, theksoi Kurti.
Kujtojmë se zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë formimin e këtij Asociacioni e mori për punë që do të bëhet, teksa deklaroi edhe se ajo do të bëhet me ose pa pjesëmarrjen e qeverisë nga Kosova.