I pyetur nga TV21 për pakënaqësitë ndaj punës së ekzekutivit, që dje i shfaqi në konferencë për shtyp nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti, zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani tha se nuk e ka ndjekur konferencën e djeshme për shtyp të grupit të pakënaqur brenda BDI-së.
“Unë s’e kam ndjek, si parti s’kam ndonjë koment”, u përgjigj shkurt Osmani.
Gjatë ditës si djeshme, nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti bashkë me disa përfaqësues nga kjo parti, të të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” dhe deputetin Kastriot Rexhepi, shprehën pakënaqësinë për punën e bashkëpartiakëve të tyre, që janë në pozita qeverisëse.
Fillimisht Mexhiti numëroi projektet e premtuara e të parealizuara të partisë së tij. Më pas hodhi akuza ndaj përfaqësuesve të BDI-së në ekzekutiv. Vlerëson se vendimet në parti i merr i zëvendëskryeministri Artan Grubi. Mexhiti duke u mbështetur në sondazhin e IRI thotë se zv/kryeministri Artan Grubi dhe kryediplomati Bujar Osmani kanë performancën më të dobët, dhe se për herë të parë opozita shqiptare ka tejkaluar Bashkimin Demokratik për Integrim në sondazhe.