Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është gjobitur me 700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.
“E akuzuara Rozeta Hajdari është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjobë në shumën 700 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita kur ky Aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në njoftim.
Sipas gjykatës, Hajdari, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrjes dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për detyrimin e saj ligjor, nuk e ka deklaruar pasurinë ashtu siç e kërkon Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.
Hajdari kishte pranuar paraprakisht fajësinë para gjykatës duke thënë se ishte krijuar konfuzion pasi ishte shtyrë afati për deklarim të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Më 14 tetor të këtij viti Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzën ndaj ministres Hajdari për veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare”.