Zejtarët e vegjël, berberët, parukierët, rrobaqepësit, automekanikët dhe kompanitë e tjera të vogla, do të paguajnë energji më të lirë elektrike nga viti i ardhshëm, njoftuan dje nga Oda e zejtarëve. Drejtoresha e OZRMV-së, Jelena Spasova, deklaroi se janë pranuar pjesërisht kërkesat e Odës së zejtarëve për kategorizimin e energjisë elektrike nga industriale në atë shtëpiake për të mbështetur zejtarët mikro, të vegjël, për aq kohë sa zgjat kriza.
“Kërkesat që janë bërë për subvencionimin e energjisë elektrike për zejtarët, ndërmarrjet mikro dhe të vogla nga energjia elektrike industriale në atë amvisërie për aq kohë sa zgjat kriza, janë pranuar pjesërisht. Zejtarët nga viti i ri do të paguajnë energji më të lirë elektrike. Me çmimet e reja fitimin më të madh e kanë kompanitë e vogla.
Për ta do të jetë më e lirë rryma, kështu që në vend të 17 denarëve për kilovat orë, do të paguajnë 13 denarë. Rryma e lirë do të kushtojë 10 denarë për kilovat. Ky çmim do të vlejë për 70.000 kompani, shumica prej tyre zejtarë”, tha Spasova. Nga OZRMV-ja besojnë se një ulje e tillë e çmimit të energjisë elektrike do të kontribuojë në stabilizimin mikro të ndërmarrjeve të vogla dhe do të jetë një ndihmë e madhe për tejkalimin e krizës ekonomiko-energjetike.
“Shpresojmë që ajo që kemi bërë për zejtarët, kërkesat, takimet me Qeverinë, me ministritë, është sukses i madh për Odën e zejtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila edhe një herë dëshmoi se lufton dhe do luftojë në të ardhmen për më të mirën për zejtarët”, deklaroi Spasova.