LajmeMaqedoni

Kovaçevski: Nëse është e nevojshme do t’i ngrijmë sërish çmimet

“Sollëm një vendim shumë të rëndësishëm për kushte të veçanta për tregtimin e mallrave të caktuara, me të cilin zgjasim kufizimin e marzheve deri më 30 prill të vitit 2023, nëse kushtet e tregut me çmime e kërkojnë. Por ne sollëm edhe një vendim që i mundëson Ministrisë së Ekonomisë, nëse e kërkojnë këtë kushtet e tregut, të ngrijë çmime të caktuara të produkteve ushqimore bazë”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvend.

“Përveç kësaj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mundësuar nga 1 dhjetori i këtij viti, të shfrytëzohet energjia elektrike e subvencionuar për prodhuesit vendor të produkteve ushqimore bazë, përderisa zgjat gjendja e krizës në furnizimin e pandërprerë me energji elektrike. “, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Ai tha se tani me këtë masë çmimi i energjisë së subvencionuar është 80 euro për megavat orë dhe nëse kjo nuk është e mundur, prodhuesit do të duhet të paguajnë çmim deri në 5 herë më të lartë.

“Qëllimi është që me energji elektrike të subvencionuar për prodhuesit vendor dhe një marzh të rregulluar tregtar, të kemi çmime të korrigjuara në treg”, shtoi Kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, tha se rezultatet e para në treg janë: ulja e çmimit të qumështit nga 76 denarë në 74 denarë, të vajit të lulediellit nga 165, 167 denarë në 112 denarë, si dhe çmimi i përpunimit të mishit është reduktuar mesatarisht nga 4 deri në 8 për qind.

Ai po ashtu bëri të ditur se shërbimet inspektuese monitorojnë çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe se kontrollet e rregullta bëhen në pjesën e Ligjit për tregtinë, për të mbrojtur tregun vendas nga keqpërdorimet në tregti dhe vetëm gjatë këtij muaji dhjetor janë realizuar 240 kontrolle inspektuese. “Në përgjithësi, konstatohet se prodhuesit, importuesit dhe shitësit me pakicë dhe shumicë i përmbahen marzhit më të lartë të vendosur prej 5% dhe 10% për produktet e listuara në Vendim. Gjatë kontrolleve u konstatua se ulja e çmimit të shitjes në ambientet e shitjes është rezultat i uljes së çmimit të produkteve të lartpërmendura nga prodhuesit në përputhje me rrethanat”, tha Kryeministri.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, tha se sipas kontrolleve të bëra këtë muaj, në zinxhirin e mëdha të marketeve, të cilat bëjnë tregti me pakicë, është konstatuar se çmimi i bukës varion nga 42 denarë deri në 49 denarë varësisht nga gramazha dhe prodhuesi, përkatësisht është përcaktuar zvogëlim nga 2 në 3 denarë; vaji i lulediellit ushqimor shitet me çmime prej 97 denarë deri në 104 denarë për pako nga 1 litër dhe 905 mililitra varësisht nga prodhuesit, gjegjësisht është përcaktuar ulje e çmimit prej 2 deri në 5 denarë; se mielli nga një prodhues është zvogëluar për 4 denarë dhe aktualisht është 40 denarë për kilogram.

“Nga ana e prodhuesve të caktuar të produkteve të tjera të shënuara në Vendim, objekteve të shitjes janë dërguar njoftime për ulje të çmimeve në periudhën e ardhshme. Ulja e çmimeve do të kryhet pas shitjes së një sasie të caktuar të inventarit që tashmë është blerë nga objektet e shitjes, me çmim më të lartë në periudhën e mëparshme”, tha Kryeministri.

Kryetari i Qeverisë Kovaçevski shpjegoi se çmimet e produkteve ushqimore janë rezultat i inflacionit në nivel global, i cili po ndodh në kushtet e një krize jashtëzakonisht të rëndë ekonomike dhe energjetike në mbarë kontinentin evropian, të shkaktuar nga veprimet ushtarake. me norma prej 10 për qind e më shumë. Ajo u nxit nga dy faktorë, theksoi kryeministri: një çekuilibër në ekonomi, për faktin se gjatë pandemisë kërkesa dhe prodhimi u reduktuan – dhe nga normat jashtëzakonisht të ulëta të inflacionit, tani është e kundërta, kërkesa është rritur dhe oferta është e ulët, gjë që rezulton me çmime të larta. Dhe arsyeja e dytë është lufta në Ukrainë, ku prodhohet 35 për qind e drithit të Evropës dhe ndërpreu kanalet e furnizimit me gaz dhe të gjitha produktet që prodhohen nga gazi, si plehrat – të cilat ndikojnë në çmimin e ushqimit, energjisë elektrike, si një input në të gjitha produktet e tjera dhe rritja e çmimit të naftës dhe derivateve të naftës, të cilat hyjnë si input në proceset e prodhimit dhe të shërbimit, gjë që ndikon në rritjen enorme të inflacionit.

Show More

Related Articles

Back to top button