Policia shqiptare nga qyteti i Pogradecit sot ka arrestuar tre persona, pasi që në automjetin e tyre janë gjetur gjithsej 58 kilogramë hashash, që duhej të përfundonte në narko tregun e Maqedonisë së Veriut.
Janë arrestuar një 17-vjeçar me iniciale M.K., si dhe Likend Basha (30), që të dy nga Kruja dhe Erisa Fero (28) banore e Tiranës, përndryshe e punësuar në Agjencinë nacionale për shoqëri informatike.
“Droga është zbuluar në automjetin ‘folksvagen’ pronë e Erisa Fero derisa dy personat e tjerë e kanë vëzhguar rrugën. Ajo ka qenë e ‘obliguar’ që drogën ta transportojë nga Tirana drejt vendkalimit kufitar Qafë Thanë, në kufirin mes Maqedonisë së Veriut afër Strugës, që më pas t’ia dorëzojnë drogën Lika Bashës i cili duhej ta transportonte në Maqedoni. Policia i ka hasur në afërsi të vendkalimit”, qëndron në kumtesën e policisë.
Në këtë narko rrjet, të dyshuar janë edhe dy persona, si bashkëpunëtorë, për të cilët po gjurmohet. Ata dyshohen se kanë qenë porositës së drogës.
Ky është aksioni i trembëdhjetë i policisë shqiptare nga ky rajon në shkatërrimin e kontrabandës me drogë në drejtim të territorit të Maqedonisë së Veriut, që është në suaza të aksionit “Ristart” të filluar në nëntor të vitit 2021.
Siç informuan nga Agjencia nacionale për shoqëri informatike, kundër Erisa Feros, e cila ka pasur funksion udhëheqës, menjëherë ka filluar procedura për suspendimin e saj