LajmeMaqedoni

Zajkova: Opozita duhet ta vë në plan të parë interesin e vendit, çdo kushtëzim ndalon procesin e integrimit për në BE

Maqedonia e Veriut është duke e ndjekur rrugën e saj evropiane, procesi i skriningut ka filluar, krizat janë të vazhdueshme (shëndetësore, ekonomike, energjetike), ndaj duhet t’i japim fund retorikës dhe kushteve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, thotë në një prononcim për Indeks.mk, Monika Zajkova, kryetare e Partisë Liberal Demokrate (PLD), duke komentuar kushtëzimet dhe kërkesat e VMRO-DPMNE-së dhe Lëvizjes BESA për zgjedhje.

Sipas saj, në kohën kur nga opozita pritet të jetë konstruktive në tejkalimin e pengesave për të vazhduar rrugëtimin dhe ëndrrën e gjithë qytetarëve për anëtarësim në BE, por edhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet e krizës ekonomike dhe energjetike, opozita radikalizon retorikën dhe veprimin.

“Të gjithë jemi të lodhur nga kjo kërkesë, opozita duhet të shtrojë çështje për të cilat qytetarët kanë interes, të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Ne duhet të reformojmë shumë gjëra për të ardhmen që dëshirojmë të arrijmë. Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në këtë moment të pafavorshëm të krizës ekonomike dhe energjetike të pasuar nga një luftë që po ndodh në kontinentin evropian. Nuk ka asnjë arsye për të shpenzuar kohë dhe fonde shtesë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do ta pengonin vendin në situatën tashmë komplekse në nivel makro. Çdo proces zgjedhor e ngadalëson zhvillimin e shtetit, hasim në institucione të bllokuara në fushën e kompetencave, por ato janë edhe barrë për buxhetin e dedikuar për qytetarët”, deklaroi Zajkova për Indeks.mk

Megjithatë, shprehet ajo, përvoja na tregon se në politikë gjithçka është e mundur, prandaj nuk do ta përjashtoja as atë shans të vogël, i cili nëse realizohet, shpresoj të bazohet në interesin suprem shtetëror dhe strategjik, në vend të interesit të ngushtë partiak apo personal.

“Çdo ndarje dhe kushtëzimi na dëmton, para së gjithash, reformimin dhe zhvillimin e shtetit në vend, si dhe ngadalëson procesin e integrimit evropian”, nënvizoi Zajkova.

Show More

Related Articles

Back to top button