Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për qarkullim.
Ndonëse të enjten pas dite barrikadat e vendosura në rrugët që dërgojnë tek këto pika janë larguar, ato vazhdojnë të jenë ende të mbyllura.
KOHA ka pyetur Policinë e Kosovës se kur pritet të hapen këto pika, por ende nuk ka marr një përgjigje.
Ndërkohë nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kanë thënë se nuk kanë ndonjë informatë se kur këto pika, do të hapen për qarkullim.
Jarinja dhe Bërnjaku janë mbyllur më 10 dhjetor, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq. Ai u arrestuar si i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri dhe Policisë së Kosovës.
Barrikadat nga këto rrugë janë hequr të enjten pasdite, pasi që një ditë më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ish-policit Pantiq, ia ndryshoi masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Ndërkohë që pika kufitare në Merdar, e cila ishte mbyllur për qarkullim më 27 dhjetor, është hapur të enjten në mëngjes. Ajo ishte mbyllur pasi që në Serbi, dy kilometra larg nga pika kufitare, ishte vendosur një barrikadë.