Pavarësisht apeleve të institucioneve kompetente, shitblerja e fishekzjarrëve në muajin dhjetor vazhdon të mbetet e lartë. Edhe përkundër kontrolleve të shtuara të policisë, përdorimi i fishekzjarrëve vazhdon të mbetet fenomen. Qytetarët vlerësojnë se përdorimi i këtyre mjeteve paraqet rrezik të lartë. Apelojnë që prindërit të mos u lejojnë fëmijët t’i përdorin ato.
“Është e rrezikshme për fëmijët dhe për të rriturit, për të gjithë… Të mos përdoren dhe prindërit të mos lejojnë që fëmijët e tyre të përdorin fishekzjarrë“, tha një qytetare.
“Shumë e rrezikshme është..”, u shpreh një qytetare.
“Rrezik është, fillimisht për ata që gjuajnë fishekzjarrë, më pas edhe për personat rreth tyre. Mjetet piroteknike janë të këqija, të rrezikshme. ”, tha një qytetare.
Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar fushatën parandaluese me qëllim informimin e qytetarëve për pasojat nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Policia bën thirrje që të mos blihen dhe mos përdoren mjetet e tilla, pasi, siç thonë, mbrëmja më e bukur e vitit mund të shndërrohet në tragjedi. Zëdhënësi Toni Angellovski tha se do të ketë kontrolle të shtuara në të gjithë territorin e shtetit.
“Paralelisht me këtë punojmë në mënyrë represive, vazhdimisht kemi sekuestrime të mjeteve piroteknike. Mund të them që gjatë vitit të kaluar kishim 200 mijë copë mjete piroteknike të sekuestruara, njësoj ndodh edhe këtë vit, dje informuam për mbi 4000 copë të sekuestruara në Kumanovë, ndërsa aksione të tilla zbatojmë në të gjithë territorin e shtetit”, deklaroi Toni Angellovski, MPB.
Angellovski sqaroi se për përdorimin e mjeteve piroteknike ekzistojnë sanksione të ndryshme, ndërsa për shkaktim të lëndimeve të rënda do të ketë edhe përgjegjësi penale.
“Kemi sanksione të ndryshme, dënimi me të holla është për përdorim, përkatësisht shpërthimin e mjeteve piroteknike, por nëse ka lëndime të rënda dhe lëndime të tjera, atëherë kemi edhe përgjegjësi penale, ku përveç dënimeve me të holla mund të përfundojë edhe me dënim me burg ”, tha Toni Angellovski, MPB.
Gjatë çdo ndërrimi të viteve, qytetarët ankohen për lëndime nga përdorimi i tepruar i mjeteve piroteknike. Vitin e kaluar një person përfundoi në spital, ndërsa një vit më herët natën e festës së vitit të ri, vetëm në Qendrën klinike në Shkup tre persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve nga fishekzjarrët./Alsat.mk