Aktorët e skenës politike në vend i janë drejtuar opinionit me porosi të ndryshme me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke bërë thirrje për unifikim e bashkëpunim më të ngushtë për një ardhmëri më të mirë të vendit, transmeton Portalb.mk.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në urimin e tij, theksoi se, vitin që kaloi ishim dëshmitar të sfidave të sigurisë, ekonomike dhe energjetike, të cilët thelluan pabarazinë dhe rritën frikën për stabilitetin afagjatë. Megjithatë, siw theksoi ai, ishim dëshmitarë edhe të humanizmit të njerëzve me vullnet të mirë të cilët u kujdesën edhe nevojat e të tjerëve, duke ktheyr shpresën në të mirën e përgjithshme.
“Ata na rikujtuan se i nevojitemi njëri tjetrit dhe se jemi përgjegjës për njëri tjetrin. Shteti është shtëpia që mund ta ndërtojmë vetëm së bashku, të bashkuar rreth vizionit për shoqëri humane, të drejtë dhe prosperuese, në të cilën do të ketë vend për të gjithë. Që të arrijmë qëllimin e përbashkët drejt së cilit synojmë që nga fillimi i pavarësisë maqedonase, na nevojitet përkushtim dhe shpresë se do të jetë më mirë”, tha Pendarovski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me këtë rast, ka theksuar nevojën e domosdoshme për anashkalimin e dallimeve që bëjnë dallim artificial ndërmjet nesh siç është përkatësia etnike, fetare, partiake.
“Dallimet në drejtim të grupeve të margjinalizuara të cilat kanë dyfish më shumë vështirësi në realizimin e të drejtave dhe obligimeve të veta. Të fokusohemi në atë që na bashkon dhe kjo është përparimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese. Standardi më i mirë i jetës dhe punës për qytetarët tanë. Arsimi më i mirë dhe më cilësorë për të rinjtë tanë, për ardhmërinë e shtetit. Të gjithë bashkë, pa dallim në të gjitha ndarjet artificiale, nëse jemi të bashkuar rreth asaj që na bashkon, a kjo është Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë shtëpi e të rinjve tanë, vend me standarde dhe vlera evropiane, atëherë doemos duhet ti besojmë njëri tjetrit, të respektohemi, ndërmjet nesh brenda dhe jashtë me fqinjët tanë. Ju uroj shëndet të mirë, për ju, për më të afërmit tuaj!”, ka porositur Xhaferi.
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski tha se, në vitin 2023, do të vazhdojnë edhe më mirë dhe më me vendosmëri për ardhmëri të sigurt dhe evropiane.
“Jam i sigurt se, vitin e ardhshëm shteti ynë do të vazhdojë të përparojë dhe të realizojë qëlimet. Pagat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten, ndërsa ne vazhdojmë edhe më tej me investime të reja të cilat do të nënkuptojnë jetë më të mirë për të gjithë”, theksoi Kovaçevski.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në fjalimin e tij drejtuar publikut uroi që viti i ardhshëm 2023 të jetë një vit edhe më i suksesshëm, i cili do të na bashkojë kundër ndarjeve dhe do të krijojë mundësi që t’i përkushtohemi progresit duke shikuar drejt të ardhmes, gjë që është rrugë e vetme drejt suksesit. Sipas tij, sfida më e madhe në vitin e ardhshëm fillon më 1 janar 2023, kur Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht fillon Presidencën me OSBE-në.
“2023 do të jetë një vit i rëndësishëm për pozicionin ndërkombëtar të vendit. Forcimi i pozicionit ndërkombëtar të vendit nënkupton investim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, mundësi të reja për të rinjtë dhe stabilitet. Në kushtet e luftës në rajonin e OSBE-së dhe marrëdhënieve të rënduara politike mes vendeve anëtare, do të fokusohemi në qetësimin e tensioneve, rikthimin e besimit, prosperitetin dhe sigurinë e përgjithshme të njerëzve”, theksoi Osmani.
Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristjan Mickoski vitin 2022 e ka vlerësuar si vit të pushtetit të paaftë, varfërisë, krizës energjetike, vit në të cilin është bërë tregti me dinjitetin nacional. Por, sipas tij, viti i ri do të jetë vit në të cilin, ndryshimet do ta përjetojnë fuqinë e tyre të plotë.
“Të mos humbim kohë, të kryejmë punën, populli të ketë më shumë para, pushteti të ketë më shumë përgjegjësi. Pushteti duhet të kthehet te populli. Është koha. Të krijojmë ardhmëri në të cilën besojmë. Ardhmërinë që e meritojmë. Besoj fuqishëm te ju, besoni edhe ju në vete. Do të ketë shumë projekte, numër më të madh të fitoreve më të vogla dhe një fitore të madhe. Do të jetë më mirë. Vijnë kohëra më të mira”, theksoi Mickoski.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se, viti 2022 ishte një vit i sfidave për të gjithë qytetarët e vendit dhe mbarë botën.
“Bashkërisht kaluam shumë momente të vështira, nga disa prej tyre dolëm shumë më të fuqishëm, në të tjera morëm shumë mësim dhe përvojë. Urojmë që Viti i Ri 2023 të jetë më i qetë, të jetojmë në paqë dhe harmoni, të kemi shëndet e të numërojmë suksese. Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duke mos e lënë atë vetëm në nivel dëshirash”, ka shkruar Taravari në profilin e tij në Facebook.