Vazhdon ndotja enorme në disa qytete të vendit. Tetova dhe Gostivari ndër qytetet më të ndotura. Nga ana tjetër janë anuluar disa nga fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit si rrjedhoj e mjegullave të dendura që e kanë mbuluar Shkupin.
Tetovarët dhe gostivarasit sot thithin ajrin më të ndotur në vend, gjegjësisht ajri është i ndotur mbi të lejuarën. Kështu ka njoftuar Ministria për ambient jetësor. Tabela tregon përqendrimet mesatare ditore të PM10 në pikat matëse ku është tejkaluar pragu i alarmit dy ditë me radhë. Tetovë mbi 162 grimca PM10 dhe në Gostivar mbi 150 grimca PM10.
“Në bazë të Dekretit për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për vlerat kufitare në lidhje me nivelet dhe llojet e substancave ndotëse në ajrin e ambientit dhe pragjet e alarmimit, afatet për arritjen e vlerave kufitare, kufijtë e tolerancës për vlerat kufitare, ju njoftojmë se e njëjta është tejkaluar në pikat matëse Tetovës dhe Gostivarit” – thonë nga MMJPH.
E për këtë kanë hyrë në fuqi masat e Qeverisë.
“Sipas konkluzioneve të procesverbalit të seancës së 40-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut , të mbajtur më 28.11.2017, për qytetin në Tetovës dhe Gostivarit, hyjnë në fuqi rekomandimet dhe masat në rast të tejkalimit të pragut të alarmimit” – thonë nga Qeveria.
Ndërkohë mjegulla në Shkup gjithashtu ka vështirësuar qarkullimin ajror dhe rrugor. Disa nga fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë anuluar ndërsa disa të tjera janë prolonguar. Për shkak të mjegullës, dukshmëria ka rënë edhe në disa rrugë në të gjithë vendin.
Ulje e dukshmërisë për shkak të mjegullës deri në 40 m në akset rrugore Tetovë – Grupçin dhe Koçan – Vinicë – Kamenicë e Maqedonisë, dhe dukshmëri nga 50 m deri në 100 m në rrugët Manastir-Prilep, Shkup-Kumanuvë, Shkup-Veles, Veles-Katllanovë dhe Koçan-Shtip.
Nga Lidhja Auto Moto rekomandojnë shpejtësi të rregulluar të lëvizjes, respektim të sinjalistikës së komunikacionit të afishuar dhe menaxhim të kujdesshëm të mjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje dherash. /KlanMacedonia/