Pasi theu të gjitha barrierat duke u shpallur si xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë në vitin 2014, e pasuar edhe me medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2016 dhe shumë trofe të tjera, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.
Ajo po e ushtron profesionin e trajneres së xhudos dhe është e fokusuar në zbulimin dhe përgatitjen e xhudistëve të rinj për suksese ndërkombëtare, duke pasur gjithmonë mbështetjen e trajnerit Driton Kuka.
“Në përgjithësi viti 2022 për mua ka qenë një vit me plotë sfida duke marrë parasysh që kam filluar një karrierë të re si trajnere dhe realisht fillimi si në çdo punë tjetër ka qenë i vështirë, mirëpo e kam cekur gjithmonë që jam shumë me fat që e kam Tonin afër dhe kam prej kujt të mësoj. Në përgjithësi ka pasur vështirësi, por ka pasur edhe suksese të mëdha. Jam shumë e lumtur që ekipit iu kanë bashkangjitur edhe emra të rinj.
Por Kelmendi thotë se puna me të rinjtë është bërë shumë e vështirë për shkak se rrjetet sociale po marrin vëmendjen e tyre..
“Problemi kryesor kur kam filluar të punojë si trajnere që unë për vete kam qenë punëtore jashtëzakonisht e madhe, edhe kam pritur që edhe garuesit tjerë ta kenë atë, përderisa një ditë ka ardhur Toni ka thënë ‘hej këta nuk janë ti, nuk e kanë kokën tënde, përkushtimin tënd, fokusin, kështu që duhet secilit t’i qasesh ndryshe-ndryshe. Ta gjesh formën si ta bësh secilin veç e veç, ta jep maksimumin në stërvitje’. Kështu që realisht shumë e vështirë, ndoshta edhe fajin e kanë rrjetet sociale, shumë e vështirë me ua sjellë atë fokusin në stërvitje, mirëpo, pavarësisht kësaj, prapë se prapa po arrijmë me e nxjerrë maksimumin prej sportistëve, por realisht jo lehtë”.
Megjithatë, ajo thotë se e ardhmja e xhudos në Kosovë është e ndritur.