Ashtu siç pritej, hyrja e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare Ben-Gvir në kompleksin e xhamisë Al Aksa në Jerusalemin Lindor ngjalli reagime të shumta.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina thirrën një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të dënuar veprimin e ministrit hebre. Këshilli i Sigurimit pritet ta diskutojë të enjten këtë çështje.
Vizita e Ben-Gvir, ultranacionalistit Izreaelit në vendin e shenjtë të myslimanëve solli qëndrime të ashpra në mbarë botën, madje SHBA-të, aleati më i ngushtë i Izraelit, shprehën shqetësim të thellë për ngjarjen.
“Veprime të tilla janë të papranueshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri për ruajtjen e status quo-së historike në lidhje me vendet e shenjta në Jerusalem”, – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
Edhe vendet myslimane si Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e dënuan veprimin si një provokim të paprecedent.
Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, i njohur si Mali i Tempullit për hebrenjtë, është i shenjtë si për myslimanët, por po aq të shenjtë e kanë edhe hebrenjtë. Kompleksi i xhamisë financohet nga Jordania e cila e administron që nga viti 1967, ndërsa Izraeli ka kontrollin e sigurisë.
Sipas një marrëveshjeje, status quo-ja e vendit lejon vetëm lutjet e myslimanëve dhe vizitat nga jomyslimanët mund të bëhen vetëm në kohë të caktuara.