LajmeMaqedoni

Punësimet në çerdhet, Komuna e Tetovës veprimin e MPPS e vlerëson si hakmarrje politike

Përkundër kërkesave të vazhdueshme të Çerdheve “Rinia” në Tetovë për nevojën për dhjetëra punësime, në këtë institucion, Ministria e punës dhe politikës Sociale (MPPS), kthen përgjigje për vetëm tre punësime.

“Nga qershori i vitit 2022 e deri në dhjetor, ne kemi dorëzuar gjithsej 37 kërkesa për punësime, gjashtë nga të cilat janë vende të lira në bazë të sistematizimit, dhe 31 kemi kërkuar vetëm leje për punësim me buxhet të komunës së Tetovës. Për 31 punësimet kemi dorëzuar kërkesë javën e shkuar në ministri, për të kërkuar pëlqim vetëm për punësimet me buxhet të siguruar nga komuna e Tetovës. Kemi marrë përgjigje pozitive vetëm për tre punësime edhe atë përgjigjen e kemi marr më 28 dhjetor të vitit të shkuar, që ne si institucion për ta bërë konkursin dhe për t’i lajmëruar punëtorët, do duhet tani të marrim sërish pëlqim nga ministria”, deklaroi Fatlinda Jaja, Drejtoreshë e Çerdheve “Rinia” Tetovë.

Por nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se të gjitha kërkesave të drejtorisë së çerdhes i janë përgjigjur pozitivisht.

“Gjitha kërkesat që komuna e Tetovës, gjegjësisht çerdhja Rinia ka lëshuar në ministri, janë miratuar dhe përgjigjja iu është kthyer”, njoftojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Por kreu i këshillit të Tetovës Besar Durmishi këtë akt të Ministrisë e konsideron si hakmarrje politike.

“Nuk e di arsyen se përse, por mendoj se më shumë është arsye politike, dhe duke mos i analizuar nevojat që kanë ata fëmijë. Ne kërkesën e kemi pasur shumë qartë që, vetëm të jemi të mbuluar juridikisht të jep pëlqim Ministria për ata vende të përkohshme, ndërsa financiarisht do mbulohen nga ana e komunës”, tha Besar Durmishi. Kryetar i këshillit komunal të Tetovës.

Në mungesë të kuadrit dhe hapësirave, mbi 150 nuk kanë mundur të regjistrohen në çerdhe. Për rreth 31 punësime në çerdhet e Tetovës dhe punësime të tjera, komuna në propozim buxhetin për vitin e ardhshëm, ka paraparë mjete në vlerë prej rreth 30 milion denarësh. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button