BotaLajme

Gjermani: Shans për azilkërkuesit e refuzuar por të integruar!

Sipas një projektligji të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin, azilkërkuesit e refuzuar, por që janë integruar ndërkohë në Gjermani mund të qëndrojnë në të ardhmen në Gjermani, raporton revista gjermane “Der Spiegel”. Në të njëjtën kohë qeveria do të dëbojë më shpejt të dënuarit për vepra penale.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser (SPD) kërkon ta paraqesë sa më shpejt projektligjin e quajtur “shans për të drejtë qëndrimi”, thuhet edhe në një njoftim të agjencisë KNA.

Me këtë migrantët që jetojnë prej pesë vjetësh apo më gjatë në Gjermani me lejen “Duldung” (pezullim i përkohshëm i dëbimit të personave pa të drejtë qëndrimi) – do të kenë mundësi që të jetojnë legalisht gjithmonë në Gjermani. Nëse futet në fuqi rregullorja e re, prej saj do të përfitonin 105.000 vetë.

Konkretisht personat e prekur nga rregullorja e do të merrnin për 1 vit provë, një leje qëndrimi. Nëse në këtë kohë ata tregojnë, se zotërojnë gjuhën gjermane, dhe mund ta sigurojnë jetesën, mund të marrin një leje qëndrimi afatgjatë në Gjermani. Personat e dënuar nuk përfitojnë, ashtu si ata që kanë bërë të dhëna të gabuara për identitetin e tyre për të penguar dëbimin.

Ky plan i ministres, Nancy Faeser ka qenë përcaktuar në marrëveshjen e koalicionit mes SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve.

Në të njëjtën kohë ministrja, Faeser angazhohet për dëbimin konsekuent të azilkërkuesve të refuzuar që nuk respektojnë ligjet gjermane. “Veçanërisht dëbimi i të dënuarve dhe personave rrezikues duhet të zhvillohet më me konsekuencë”, thuhet në projektligj. Për këtë do të ashpërsohen rregulloret e dëbimit, po sipas marrëveshjes së koalicionit.

Show More

Related Articles

Back to top button