Ekipi mesdhetar i Kosovës do të përbëhet nga 40 sportistë të 13 sporteve të ndryshme për Lojërat Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022, do të mbahen në qytetin e Oranit të Algjerisë.
Listës i prinë kampionia olimpike, xhudistja, Distria Krasniqi.
Nga xhudo janë edhe më së shumti sportistë, gjithsej tetë. Krahas Krasniqit, nga sporti më i suksesshëm në vend, janë edhe kampioni i Evropës 2021, Akil Gjakova, medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, nënkampionia e Evropës 2022, Laura Fazliu, derisa shkaku i lëndimit mungon kampionia olimpike, Nora Gjakova.
Boksin do ta përfaqësojnë pesë garues, ndërsa veçohet pjesëmarrja e Donjeta Sadikut, e cila muajin e kaluar fitoi medaljen e bronztë të botës.