LajmeMaqedoni

Komisioni kundër diskriminimit do të shqyrtojë hyrjen e shpejtë në aeroport për qytetarët e suksesshëm të Maqedonisë nga jashtë, të cilën e prezantoi Osmani

Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi do ta shqyrtojë vendimin e ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, që 69 shtetas të Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, siç janë mbajtësit e MKartelës të kalojnë nëpër shiritin e shpejtë në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, transmeton Portalb.mk.

“E kemi këtë rast në radar. Në seancën e radhës, e cila do të mbahet pas festave, do të shqyrtohet nëse ka diskriminim në vendimin e MPJ-së”, tha Ismail Kamberi, kryetar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Ministri Osmani konsideron se në projekt nuk ka asgjë të diskutueshme, përkundrazi ndaj këtyre personave tregohet respekt dhe vëmendje.

“Si ministër i Punëve të Jashtme që mbulon diasporën, ishte e rëndësishme për mua se si t’i vendosja njerëzit tanë me ndikim në funksion të shtetit. Prandaj bëra një rrjet të njerëzve tanë të suksesshëm që jetojnë jashtë, të cilët do t’i kemi në kontakt të vazhdueshëm, do të takohemi një herë në vit, do t’i sjellim këtu për seminare dhe takime. Kur përmes ambasadorëve tanë iu dham MKartela si dëshmi se ata janë pjesë e rrjetit tonë, nuk ishte menduar që ata të kishin ndonjë privilegj. Unë vlerësova se në shenjë respekti duhet të marrim masa simbolike, si p.sh. që të hyjnë falas në muze. A mendoni se për ta do të thotë diçka nëse paguajnë një biletrë 50 denarë, por simbolika është se po i nderojmë. Në atë paketë masash thamë që korsitë e shpejta të përdoren edhe për mbajtësit e pasaportave diplomatike. Dhe kjo nuk do të thotë asgjë për këta 69 persona që do të vijnë një herë në vit në aeroportin e Shkupit dhe as nuk do të prekë askënd. Më kritikoni për këtë temë, por unë qëndroj prapa vendimit dhe mendoj se duhet respektuar”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e djeshme me rastin e kryesimit të OSBE-së.

Më 2 janar, Ministria e Punëve të Jashtme tha se “projekti MKartela u prezantua në maj 2021, si një njohje dhe konfirmim për persona apo individë të dalluar nga vendi që jetojnë jashtë vendit, të cilët me punën dhe profesionalizmin e tyre kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm dhe me këtë edhe promovimin e Maqedonisë së Veriut jashtë vendit”.

Osmani më pas tha se projekti MKartela përfaqëson një rrjet të “individëve tanë cilësorë në diasporë, të cilët dallohen me profesionalizmin e tyre dhe angazhimin e fortë në mjedisin e ri në të cilin jetojnë, gjë që i bën ata ambasadorë të vërtetë që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në mënyrën më të mirë të mundshme”. Kalimi i i shpejtë në aeroportet tona, i cili realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, është një njohje simbolike e punës dhe cilësisë së tyre dhe mirënjohje për institucionet dhe shtetin tonë”. Ai shtoi se në mesin e bartësve ka shkencëtarë, mjekë, biznesmenë, punëtorë të kulturës, për të cilët “kemi dëshirë dhe interes të jenë pjesë e proceseve tona të përgjithshme zhvillimore dhe shoqërore”.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se për zbulimin e personave të tillë janë ngarkuar përfaqësitë diplomatike-konsullore të shtetit jashtë vendit, ndërsa përzgjedhja se kush do të jetë mbajtësi i MKartelës bëhet në procedurë rreptësisht të planifikuar. Një mundësi të tillë deri më tani e kanë marrë 69 qytetarë tanë, pjesëtarë të diasporës.

Show More

Related Articles

Back to top button