BotaLajme

Kush fitoi nga kriza, taksa më të larta/ Europa “rikthen” tatimin mbi fitimin

Rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë dhe benzinës në Europë ka rikthyer idenë e vjetër të tatimit mbi fitimin e tepërt. Autoritetet gjermane janë duke diskutuar vendosjen e një takse të posaçme për koncernet e naftës.

I konsideruar një instrument ndihme për të mbuluar nevojat e larta publike në kohë krize dhe lufte, tatimi mbi fitimin e tepërt vendoset mbi fitimet që tejkalojnë ‘fitimet normale’ dhe aplikohet vetëm një herë dhe jo në mënyrë të vazhdueshme.

Për këtë çështje, mendimet janë të ndryshme megjithatë institucione të rëndësishme si Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) e mbështesin vendosjen e një takse të tillë.

Flamurtarë të kësaj ideje në Gjermani janë bërë socialdemokratët dhe të Gjelbërit, të cilët argumentojnë se në mesin e kësaj rritjeje dramatike të çmimeve nga lufta në Ukrainë, ata që kanë përfituar më shumë nga kriza, duhet edhe të taksohen më tepër.

Ideja e taksimit shtesë për përfituesit e krizave është aplikuar në SHBA dhe Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore mbi firmat e armatimeve, e diskutimet për të u rikthyen sërish gjatë pandemisë, kur u kërkuan taksa shtesë për kompanitë si Amazon, që shënuan në atë periudhë fitime marramendëse.

Tetorin e vitit 2021, Spanja u bë vendi parë i BE-së që vendosi aplikimin e një takse të posaçme për kompanitë e energjisë, e Italia po ashtu po aplikon një taksë të posaçme që prek vetëm sektorin e energjisë./TCH/

Show More

Related Articles

Back to top button