Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije përmes një postimi në rrjete sociale se mbledhja me anëtarët e kabinetit qeveritar vazhdon dhe se në diskutimin maratonë të fillimvitit, analiza e 12 muajve të shkuar i bën më shumë optimistë për vitin 2023.
“Vazhdojmë edhe sot diskutimin maratonë të fillimvitit, ku analiza e detajuar e 12 muajve të shkuar na bën shumë optimistë për 2023-shin, po na jep edhe mundësinë e një reflektimi shumë të dobishëm mbi çdo sektor”, shkruan Kryeministri Rama.
Dje Rama ka zhvilluar një mbledhje informale me anëtarët e kabinetit qeveritar te “Vila 30” në zonën e Bllokut, takim ky që zgjati disa orë.
“Projekte konkrete dhe punë konkrete, për rezultate konkrete në vitin ku sapo hymë. Shumë për të thënë, po sidomos shumë për të bërë, duke pasur çdo ditë parasysh mbi të gjitha ata që kanë më shumë nevojë”, shkroi Rama dje në Facebook.