LajmeMaqedoni

Tetovë, NPK-ja do të ndahet, do formohen dy subjekte të reja

Veprimtaria e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” do të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë: Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Këshilli komunal me 16 vota për dhe 15 të përmbajtur miratoi këtë vendim. Kjo sipas autoriteteve komunale bëhet pasi NPK-ja aktuale është shumë e shpërndarë dhe menaxhimi aktual nuk është efikas. Këshilltarët opozitarë me dyshime për këto dy subjekte të reja, shkruan Portalb.mk.

Me qëllim për t’u rritur shërbimet ndaj qytetarëve për sa i përket ujit, kanalizimeve dhe menaxhimit me mbeturina, tani më kanë filluar procedurat për themelimin e dy subjekteve të reja.

Ndërmarrje Publike Komunale “Sharri” për ujësjellës dhe kanalizim

Nga NPK “Tetova” sqaruan se kjo ndërmarrje  e re fushëveprimin e punës do e ketë në fushën e punëve komunale, grumbullimi, përpunimi dhe furnizimi me ujë, mënjanimi i ujërave të zeza, veprimtari arkitektonike dhe të ngjashme.

“Krejt kjo vjen si rezultat i kërkesave të institucioneve dhe sugjerimeve të organizatave ndërkombëtare, na kanë sugjeruar që t’i ndajmë, prej ndërmarrjes të bëjmë ndarjen e veprimtarive, pra të ujit dhe të menaxhimit me mbeturina”, tha Lulzim Shaqiri nga NPK “Tetova” duke shtuar se shumica e ndërmarrjeve publike komunale në vend këto veprimtari i kanë të ndara në ndërmarrje të veçanta.

Për këtë, këshilltari komunal nga PDSH, Visar Palloshi pyet se nëse ndahen në dy ndërmarrje, atëherë si do vazhdojë të funksionojë NPK-ja aktuale, me çka do të merret?

Nga NPK-ja sqaruan se ajo do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin me atë, do ngelin ekzistuese veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.

Shoqëri për prodhim dhe shërbime komunale “Oaeneum” për menaxhim me mbeturina

Për arsyet e njëjta të lartpërmendura formohet edhe ky subjekt.

“Për dallim këtu nuk themelohet ndërmarrje publike komunale por themelojmë shoqatë për prodhim dhe shërbime komunale, e cila do bëjë menaxhimin e mbeturinave komunale, dallimi qëndron në mundësinë e futjes së kapitalit nga jashtë, dhe rritjes së shërbimeve për qytetarët”, tha Lulzim Shaqiri nga NPK Tetova.

Çfarë do të prodhojë kjo shoqatë?, Pyet këshilltari nga BDI, Amet Rexhepi.

Nga NPK-ja sqaruan se kur kemi të bëjmë me menaxhimin me hedhurina, ekziston mundësia e selektimit dhe përpunimit të hedhurinave, dhe jepet mundësia e prodhimit të produkteve të cilat mund të përpunohen.

Nga atje shtuan se fillimisht do të kryen obligimet administrative dhe më pas do vazhdohet me ata operative, ku do të jetë me partneritet publiko-privat.

Këshilltari komunal nga Aleternativa, Faton Selami ngriti çështjen se nëse do të shtohen faturat ndaj qytetarëve me themelimin e dy subjekteve të reja. Por, nga komuna theksuan se do të jetë një faturë, e cila do të jetë e ndarë më pas në aspekt financiar te të tre subjektet.

Për sa u përket borxheve aktuale të NPK-së, nga kjo e fundit sqaruan se borxhi do ngelet te organet e saj të cilat do merren me to.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, sqaroi se arsyeja e themelimit të ndërmarrjes tregtare është se me procedurë të partneritetit publiko privat ligji e kërkon të jetë shoqëri tregtare jo ndërmarrje publike. Ndërsa punëtorët në bazë të fushëveprimit do shpërndahen në subjektet përkatëse. Ai mes tjerash theksoi se ka kompani të jashtme serioze nga jashtë të cilat janë të gatshme të futen në menaxhimin e mbeturinave, dhe se partneriteti publiko-privat është dëshmuar të jetë me efikas.

“Sa i përket Ujësjellësit dhe Kanalizimit, jemi duke përgatitur studim fizibiliteti për humbjet e ujit në rrjet, është bazë e cila na kërkohet nga disa investitorë të cilët garantojnë se do sigurojnë edhe financim me kredi nga institucione ndërkombëtare financiare , projekt diku rreth 5 milionë euro që nënkupton riparimin e tërësishëm të rrjetit të ujësjellësit në Tetovë për këtë na duhet ndërmarrje e cila do jetë e gatshme që do menaxhojë me këtë proces, jo ndërmarrja komunale aktuale e cila e dimë në çfarë situate është”, tha Bilall Kasami.

Dy janë qëllimet sipas Kasamit, të ketë ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje në sasinë që na duhet, e dyta të menaxhohen  mbeturinat në mënyrë efikase që mos të ketë mbeturina rrugëve.

“I gjithë ky proces bëhet për riorganizim. Nuk do të ketë ngarkesë shtesë, do të jetë një faturë e cila me vendim të këshillit do ju ndahet në llogari”, tha Kasami duke shtuar se këto do jenë procedura transparente.

Por, nga ana tjetër, këshilltarët opozitarë u shprehën se ka shumë paqartësi në themelimin e këtyre dy njësive dhe se do të rëndohet xhepi i qytetarëve.

Përndryshe, këtë ndarje kryetari i Komunës e ka paralajmëruar para disa muajsh.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” një periudhë të gjatë ballafaqohet me probleme të likuiditetit që pamundëson kryerjen e obligimeve. E njëjta, për kohë të gjatë funksionon me llogari të bllokuar, ndërsa punon në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore Tetovë për funksionim me anë të mjeteve minimale të nevojshme, si nevojë për mirëmbajtjen e nevojave të qytetit.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” sipas asaj që deklaruan përgjegjësit e saj në seancën e këshillit komunal me 17 nëntor, ka 440 të punësuar prej të cilëve 200 janë me kontratë në vepër, ndërsa rreth 80% e atyre me kontratë janë të angazhuar në pjesën operative, pra të higjienës komunale. Këta të fundit, funksionojnë në kushte të tmerrshme pune për të cilat muajin e kaluar dolën edhe në protestë.

Borxhi aktual i NPK “Tetova” sipas asaj që kryetari i Komunës deklaroi me 3 nëntor është 10.116.800 euro.

Show More

Related Articles

Back to top button