Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim “të njëanshëm” në Ukrainë.
“Presidenti Erdogan tha se thirrjet për paqe dhe negociata duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një vizion për zgjidhje të drejt”, tha zyra e Erdoganit, teksa njoftuan më 5 dhjetor se dy liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike.
Erdogan po ashtu pritet të zhvillojë një bisedë telefonike gjatë të enjtes edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Lideri turk ka përdorur raportet e mira që ka edhe me Moskën dhe me Kievin, për të tentuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.
Turqia ka qenë nikoqir i dy rundeve të bisedimeve të paqes dhe po ashtu ka ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për rinisjen e eksporteve të drithërave ukrainase nga Deti i Zi.
Erdogani po ashtu vazhdimisht ka tentuar që të sjellë në Turqi Putinin dhe Zelenskyn në një samit të paqes.