LajmeMaqedoni

Heshtje në Entin Shtetëror për Statistikë lidhur me keqpërdorimet e përkatësisë etnike

Enti Shtetëror i Statistikave vazhdon të heshtë për skandalin e keqpërdorimit të përkatësisë etnike në konkursin e fundit të këtij institucioni. As sot nga Enti Statistikave nuk morëm asnjë përgjigje nëse kanë ndërmarrë hapa për keqpërdorimet e evidentuara ose jo. Përveç dy të punësuarve me etni turke të cilët janë sistemuar në pozicionet e parapara për shqiptar, Alsat sot ka zbuluar edhe një rast tjetër nga i njëjti konkurs. Në departamentin për industri dhe ndërtimtari, në vendin e një turku ashtu siç ka parashikuar mekanizmi i balansuesit është punësuar një maqedonase me emrin Verica Dinova.

Ndërkohë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës thonë se për momentin nuk ka mekanizma për të parandaluar një gjë të tillë. Ministri Admirim Haliti thotë se dikasteri i tij është duke punuar në krijimin e një moduli përmes të cilit do të pamundësohet keqpërdorimi i mekanizmit të balansuesit gjatë punësimit. Për këtë sipas tij, ka mbështetjen edhe të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi.

“Ne si Ministri jemi duke i ndjekur të gjitha problemet të cilat paraqiten gjatë zbatimit të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjit për shërbyesit administrativ dhe të njëjtit i detektojmë dhe zgjidhim përmes zgjidhjeve të reja ligjore, duke krijuar një modul mbi platformën e Agjencisë së Administratës për të fiksuar (pamundësia për ta ndryshuar) ndryshimin e numrit amë të kandidatëve dhe përkatësinë etnike. Ky modul është në përputhje me të drejtën e pa kontestuar për shprehje të lirë të përkatësisë kombëtare të garantuar me Kushtetutë”, deklaroi Admirim Haliti, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Alsat ditë më parë publikoi vendimet nga konkursi i fundi i Entit Shtetëror të Statistikave të përfunduar më 29 dhjetor të vitit kaluar. Në vendimet të cilat i ka firmosur drejtori i këtij institucioni, Apostoll Simovski vërehet se në vend të dy shqiptarëve janë punësuar dy turq. Kjo dyshohet të ketë ardhur si rezultat i deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike nga ana e kandidatëve edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar ose përgënjeshtruar nga Enti i Statistikave. /alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button