LajmeRajon

10 milionë udhëtarë në aeroportin e Tiranës, Prishtinës dhe të Shkupit

Aeroporti i Tiranës, i Prishtinës dhe ai i Shkupit kanë regjistruar rritje të fluturimeve dhe udhëtarëve gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021. Viti që lamë pas ishte vit i rimëkëmbjes së fuqishme pas-pandemike edhe për aviacionin. Heqja e ndalesave dhe kufizimeve për udhëtim bëri që numri i udhëtarëve të rritet ndjeshëm dhe në aeroporte të kthehet trafiku i zakonshëm.

TRT Balkan ju sjell një performancat e tri aeroporteve të rajonit – Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit – gjatë vitit 2022.

Pesë milionë udhëtarë frekuentuan aeroportin e Tiranës gjatë vitit

Më 19 dhjetor të vitit 2022, Tirana International Airport regjistroi udhëtarin e pesëmiliontë për këtë vit. Me mbi 30 mijë fluturime këtë vit, aeroporti ka shënuar rritje të trafikut të pasagjerëve për 80% krahasuar me vitin 2021.

Sipas autoriteteve, mbi 15 mijë udhëtarë kanë frekuentuar aeroportin vetëm më 30 dhjetor, një ditë para ndërrimit të motmoteve.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ofron udhëtime në gjithsej 65 destinacione në botë.

Gati 3 milionë udhëtarë në aeroportin e Prishtinës

Në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës kanë frekuentuar saktë 2.964.845 milionë pasagjerë gjatë vitit 2022. Kjo është një rritje e konsiderueshme në krahasim me vitin 2021, kur Aeroportin e Prishtinës e frekuentuan 2.2 milionë udhëtarë.

Gjithashtu, është rritur edhe numri i fluturimeve gjatë vitit të fundit. Në vitin 2022 kishte rreth 18.200 fluturime, krahasuar me vitin paraprak kur kishte 17.842.

Vetëm gjatë dhjetorit, aeroportin “Adem Jashari” e kanë frekuentuar mbi 205 mijë udhëtarë.

Aeroporti i Shkupit me 1.8 milionë udhëtarë për 9 muaj

Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit-TAV gjithashtu ka shënuar një rritje të konsiderueshme të udhëtarëve në krahasim me vitin paraprak. Sipas të dhënave për 9 muajt e parë të vitit 2022, aeroportin e Shkupit e kanë frekuentuar 1.8 milionë udhëtarë, që është një rritje prej 82% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, sipas autoriteteve.

Sidoqoftë, numri i udhëtarëve ishte për 12% më i vogël se sa viti 2019, që merret si vit reference në krahasime sepse ishte viti i fundit para pandemisë së Covidit.

Nga janari deri në shtator të vitit 2022, në aeroportin në Shkup dhe në atë në Ohër janë realizuar gjithsej 14.823 udhëtime./trt

Show More

Related Articles

Back to top button