Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur përsëri rreth mundësisë së një konflikti të armatosur me Serbinë. Kurti e ka ritheksuar se është i brengosur dhe i kujdesshëm por nuk e ka frikë Serbinë.
“Nuk kam frikë unë. Jam i brengosur, jam i kujdesshëm, jam i shqetësuar sepse ky është pjesë edhe e përshkrimit të vendit tim të punës, mirëpo nuk kam frikë.” – ka thënë Kurti.
Tutje Kurti ka folur edhe rreth rrezikut për një konflikt të armatosur i cili nuk e ka mohuar një mundësi të tillë.
“Po ka rrezik. Rrezik ka, sepse është Serbia. Jo sepse jam unë. Rrezik është sepse është Serbia në anën tjetër e cila nuk është penduar për krimet, nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës dhe në vitin që porsa lamë pas i ka bërë tri marrëveshje shumë të rëndësishme me Rusinë. E para është ajo për blerjen e gazit më së liri në Evropë, E dyta është ajo për koordinim në politikën e jashtme ndërmjet (Nikola) Selakoviçit dhe (Sergey) Lavrovit në Neë York në margjinat e AP të OKB-së. Dhe e treta është që njeriun më prorus në Serbi, politikanin më prorus në Serbi, e barti shef të shërbimit sekret, Aleksandar Vulinin, përndryshe i njohur si zëvendëspresident i partisë së gruas së (Sllobodan) Millosheviçit. Domethënë, unë nuk e di çka duhet të ndodhë më shumë që të kuptojmë se me çfarë Serbie kemi të bëjmë“, tha Kurti.
Derisa, shtoi se në këtë situatë duhet të bëhemi bashkë kundër Serbisë, e cila sipas Kurtit është më agresive dhe armiqësore se çdo herë më parë prej se kemi shpallë pavarësinë.
“Dhe në këtë situatë duhet të bëhemi bashkë kundër një Serbie të tillë që është më agresive dhe armiqësore se çdo herë më parë prej se kemi shpallë pavarësinë, në vend se të këqyrim të gjejmë papërsosuri brenda Kosovës së shumëvuajtur, që më në fund po ka zhvillim ekonomik dhe demokratik, pavarësisht mosnjohjes së Serbisë. Pra, ne duam njohje reciproke, por ndërkohë që nuk kemi njohje reciproke, ne duhet të zhvillohemi.” – tha Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.