Mërgimtarët po kthehen në vendet e tyre të punës, por me vete po marrin një shije të hidhur nga vendlindja. Pritjet e gjata në vendkalimin kufitar të Tabanocës ka bërë që ata ti harrojnë festat që i kaluan në vendlindje pranë familjeve. Dita e premte dhe e shtunë ka shënuar kilometra të gjata të kolonave të automjeteve, të cilët presin me orë të tëra në kufi për ta lëshuar Maqedoninë e Veriut.
Pamjet amatore na udhëtarët tregojnë se mes tyre ka revoltë të shtuar, të cilët i pret një rrugë e gjatë me së paku një mijë kilometra deri në adresat e banimit ku nga e hëna duhet ti kthehen punës. Personi i cili filmoi na tregon se pritjet me autobus janë deri në 6 orë, kurse me makinë je me fat nëse kalon pas tri orësh pritje. Nga ana tjetër, policia kufitare raporton se vetëm për dy ditë janë shënuar numër rekord të hyrje-daljeve në vend. Të dhënat që na dërgoi Ministria e Brendshme janë alarmante për këto 48 orë.
“Sipas të dhënave të policisë kufitare, gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme, përmes vendkalimit kufitar në Tabanoc kanë kaluar gjithsej 35.833 udhëtarë, prej të cilëve 30.119 kanë dalë, ndërsa 5.714 kanë hyrë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por kjo nuk është hera e parë që bëhen kolona të gjata me kilometra në kufirin Tabanocë-Preshevë. Gjatë sezonit verës pritjet ishin edhe më të gjata në vazhdimësi sa kishte fluks të shtuar të kalimtarëve. Strategjia ndërshtetërore e Maqedonisë dhe Serbisë për sistemin një sportel kufitar në “Open Ballkan” jo që nuk po jep rezultatet e pritshme, por akoma më tepër ka shtuar zvarritjen e procedurave kufitare.
Nga Ministria e Brendshme thonë se policia kufitare po punon me kapacitet të plotë. Por, duke pasur parasysh se një turn i tërë i policisë kufitare është i suspenduar nga dyshimet për mit marrje, të rinjtë që i kanë zëvendësuar nuk janë aq praktik në menaxhimin e fluksit të udhëtarëve që u bënë këtë fundjavë.
“Në dalje nga Republika e Maqedonisë së Veriut janë të hapur 8 korsi, prej të cilave 6 për automjete të udhëtarëve, 1 për autobusë dhe 1 për qarkullim mallrash. Në hyrje të vendit, aktivitetet për kontrollin e pasagjerëve kryhen në 5 korsi, nga të cilat 3 për automjetet e pasagjerëve, një për autobusët dhe një qarkullimin e mallrave”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Ministria e Brendshme thonë se gjatë fundjavave, për shkak të numrit të shtuar të pasagjerëve, është i detyrueshëm planifikimi dhe zbatimi i punësimit të një numri më të madh të policëve në pikën kufitare në Tabanoc, të cilët do të shpërbenin edhe për sezonin veror ku fluksi i udhëtarëve është mjaft i shtuar për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe kalimit të turistëve për pushime verore. /Alsat.mk