LajmeRajon

Lista Serbe: Protesta kundër Listës Serbe është pështymje mbi Serbinë

Pas turpërimit që e përjetoi Lista Serbe para popullit të vet, duke zbatuar verbërisht urdhrin jo fortë të mençur të liderit të tyre suprem, dhe duke organizuar “tragjikomedinë” me barrikada, tani del me kumtesë po aq tragjikomike duke sulmuar ashpër protestuesit serb të cilët dje protestuan në Mitrovicën e Veriut kundër Vuçiqit duke e quajtur tradhtar.

“Përderisa Kurti po harton listën për arrestimin dhe “pushkatimin” e përfaqësuesve të Listës Serbe, duke i kërcënuar me burg dhe përndjekje, kuazi opozitarë, cirkuzantë dhe patriotë të rremë, me urdhër të Kurtit dhe sipas të njëjtës matricë sulmojnë po ata përfaqësues të Listës Serbe, për të cilët votojnë 95% e serbëve dhe që sot ishin me njerëzit e tyre në Shtërpce”, pretendohet në kumtesën e Listës Serbe.

“Fatkeqësisht, në vend që në ditën e dytë të Krishtlindjeve të shfaqet imazhi i unitetit nga Kosova, siç u shfaq në Shtërpce, të kundërshtohet me zë të lartë plani i Kurtit për zhdukjen e serbëve, cirkuzantët politikë nga partitë opozitare “Dveri” të Boshko Obradoviqit, Partia Popullore e Vuk Jeremiqit dhe organizatat kuazi patriotike mblodhën 43 ndjekës të tyre që të pështyjnë vendin e tyre, presidentin Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të Listës Serbe dhe madje për ta akuzuar patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe”, shkruan më tutje në kumtesë.

Sipas kësaj kumtese, mijëra serbë në Shtërpce sot i dhanë një mesazh të qartë regjimit represiv, diktatorial të Albin Kurtit dhe i dhanë mbështetje djalit të plagosur Stefan Stojanoviq, por edhe të rinjve Millosh Stojanoviq dhe Stefan Tomiq dhe sipas fjalëve të tyre, “vëllezërve të tyre të arrestuar padrejtësisht”.

“Këta cirkuzantë nuk kanë guxim të thonë asnjë fjalë kundër Kurtit, as nuk kanë guxuar ta përkrahin popullin serb në barrikada, as të jenë bashkë me familjet e të plagosurve në Shtërpce, por duan të rrëmbejnë disa pozita te Kurti, duke pasuar Rada Trajkoviqin dhe Nenad Rashiqin”, përfundon kumtesa e dërguar për media.

Të përkujtojmë dje në Mitrovicën e Veriut janë tubuar serbët e pakënaqur me politikën aktuale serbe dhe kanë protestuar kundër presidentit serb Vuçiq dhe kriminelëve të cilët tashmë një kohë të gjatë po e mbajnë peng gjithë veriun e vendit. Ata kanë protestuar duke e mbajtur një transparent ku kanë shkruar “Vuçiq, nuk të do Kosova! Na ke tradhtuar! Nuk e duam Asociacionin tënd! Na ke shitur!”

Show More

Related Articles

Back to top button