Grabitja e banesës në Rrugën e Kosovarëve në Tiranë dhe arrestimi i nënë e bir si të dyshuar kryesorë, ka ngjallur debate të ashpra në publik.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se kjo ngjarje tregon se në Shqipëri niveli i korrupsionit është shumë i lartë.
Ai thotë se këmbëngulja e qeverisë shqiptare për të miratuar amnistinë fiskale nuk synon të lehtësojë punën e emigrantëve, por më thelb ka hallin e politikanëve, që sipas Sokos kanë shumë para cash dhe që duan t’i fusin në ekonomi.
“Korrupsioni në Shqipëri ka nivele të jashtëzakonshme. Fakti që këtu ka zyrtarë të nivelit të lartë, ku bëhet fjalë për një shefe kabineti, qarkullojnë shuma të tilla, ti merr një ide dhe panoramë se si është korrupsioni në Shqipëri. Këta amnistinë fiskale e duan për veten e tyre, dhe jo për tu bërë nder çunave të Londrës, Ekuadorit dhe Brukselit. Ata e kanë gjetur rrugën për ta penetruar paranë e tyre. Ata e kanë gjetur dhe nuk janë ankuar. Për çfarë do shërbejë amnistia fiskale? Kjo amnisti është për këto raste”, theksoi ai.
Për ekspertin, me planin e amnistisë fiskale, politika në Shqipëri kërkon t’i ndërpresë rrugën e organeve hetimore për atë që quhet “ndiq paratë”.
“Nuk ka hallin e parasë së emigrantëve, por kanë hallin e parasë së tyre. Paraja e politikanëve mund të penetrojë përmes një amnistie fiskale. Me amnistinë fiskale kërkojnë të presin rrugën “ndiq paratë”. Ka pasur korrupsioni, por sot ka ardhur duke u rritur dhe këtyre iu duhet një amnisti fiskale që paratë që kanë bërë t’i kenë në administrim kur të vijnë apo kur të lënë pushtetin”, shtoi ai.