LajmeMaqedoniRajon

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, takoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shoqëruar nga deputetët Artina Qazimi dhe Elmi Aziri, realizuan një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në takimin që u realizua në selinë e LDK-së në Prishtinë, kryetari Taravari falënderoi kryeatrin Abdixhiku për qasjen gjithmonë bashkëpunuese me Aleancën për Shqiptarët dhe me të si kryetar partie, që nga marrja e detyrës.

“Roli dhe ndihma e LDK-së në kuadër të strukturimit tonë si parti e qendrës së djathtë dhe në afrimin me Partinë Popullore Evropiane është e pazëvendësueshme. I kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet në veriun e Republikës së Kosovës dhe kemi folur zëshëm për të dënuar veprimet destabilizuese atje”, theksoi kryetari Taravari.

Ai shprehu bindjen se faktori politik shqiptar në Kosovë dhe në Ballkan, do të jetë më unik në dënimin e politikës anti-evropiane dhe luftënxitëse të Serbisë, si dhe theksoi nevojën e mbështetjes nga politika e Republikës së Kosovës që të flet zëshëm për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, si hap vendimtar drejt hapjes së negociatave me BE-në.

“Kryetarit Abdixhiku i shpreha zhgënjimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me vonesat shumëvjeçare në rritjen e konektivitetit midis dy vendeve tona. Duhet që bashkërisht të mbajmë presionin mbi qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të përfunduar pjesën e saj të autostradës Arbën Xhaferi dhe lidhjen midis Tetovës dhe Prizrenit.

Mikut tonë i shpreha dëshirën që t’i shohim më shumë në Shkup dhe në bashkëpunimet rajonale me partitë simotra”, u shpreh kryetari i ASH-së Arben Taravari.

Aleanca për Shqiptarët është e interesuar që bashkëpunimi ndërpatirak të ngrihet në nivel kryetarësh, duke organizuar tryeza të përbashkëta me KAS-in apo duke realizuar vizita të përbashkëta në Berlin dhe Bruksel, për të adresuar çështje që bashkojnë shqiptarët nga të dyja anët e kufirit dhe sfida të përbashkëta si zgjidhja e kontesteve rajonale, kriza energjetike dhe ekonomike.

Show More

Related Articles

Back to top button