Nder i veçantë të takoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti
Sot në Prishtinë, bashkë me deputetët Elmi Aziri dhe Artina Qazimi, u pritëm në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti. Fillimisht falënderova z. Kurti për urimin pas zgjedhjes sime kryetar i Aleancës për Shqiptarët, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis nesh. Si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, do të angazhohem për vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi të çmuar.
Diskutuam përpjekjet destabilizuese të Serbisë në veriun e Kosovës të cilat i kemi ndjekur me shqetësim dhe i kemi dënuar zëshëm në vazhdimësi.
Urova Kryeministrin Kurti për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shpreha besimin se BE do të jetë në nivel të sfidës së jashtëzakonshme që i kanoset paqes, sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Si subjekt politik, do të mbështesim çdo përpjekje të Kosovës për të forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
Gjithashtu përgëzova Kryeministrin Kurti për nismat e tij për reforma në drejtësi, përfshirë vetingu, duke uruar që këto nisma të rrumbullakësohen. Theksova se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës për të mësuar nga përvoja e deritanishme në hartimin e kornizës ligjore për nisma të tilla, do të ishte i dobishëm për vendin tonë.
Me kryeministrin Kurti biseduam edhe për projektet e përbashkëta mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë inicuar nga Prishtina dhe janë nënshkruar mes dy palëve, e që vlerësohen si të rëndësishme për qytetarët dhe ekonomimë e dy vendeve tona, por fatkeqësisht hasin në pengesa nga institucionet dhe Qeveria e Shkupit, ka shkruar Taravari në fejsbuk.