BotaLajme

SHBA: marrëdhëniet me Arabinë Saudite janë të qëndrueshme

Presidenti Joe Biden konfirmoi se po shqyrton mundësinë e një vizite ndoshta pas muajit të ardhshëm në Arabinë Saudite, Izrael dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, analistët thonë se përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe për të ulur çmimet globale të naftës do të shërbejnë si temat qendrore.

Presidenti Joe Biden befasoi të premten, kur tha se Shtëpia e Bardhë po punon për një udhëtim në Lindjen e Mesme, që pritet të përfshijë ndalesa në Izrael dhe në Arabinë Saudite.

“Jam angazhuar në përpjekjet për të sjellë më shumë stabilitet dhe paqe në Lindjen e Mesme. Ekziston mundësia që të takohem me izraelitët dhe disa vende arabe, përfshirë Arabinë Saudite, nëse do të shkoja atje, por nuk kam plane konkrete për momentin”, tha Presidenti Biden.

Ekspertët i thonë Zërit të Amerikës se presidentët amerikanë kanë ruajtur prej dekadash marrëdhënie të afërta me Mbretërinë e Arabisë Saudite, e cila ka rezerva të mëdha nafte. Por, Presidenti Biden ka qenë shumë kritik për shkeljet e të drejtave të njeriut, në veçanti ato të kryera nga princi saudit i kurorës.

“Befasia për njerëzit është se Joe Biden si kandidat ishte shumë i ashpër me princin e kurorës saudite Mohammed bin Salman, për rolin e tij në orkestrimin e vrasjes së Jamal Khashoggit në Stamboll të Turqisë disa vite më parë. Në atë kohë, Joe Biden tha se do ta trajtonte Arabinë Saudite si të padëshirueshme”, thotë Bruce Riedel, nga Instituti Brookings.

Agjensitë amerikane të zbulimit arritën në përfundimin se princi i kurorës pati rol në orkestrimin e vrasjes dhe copëtimit të trupit të zotit Khashoggi, i cili banonte në Shtetet e Bashkuara dhe shkruante për gazetën The Washington Post. Princi Bin Salman mohon të ketë ndonjë përgjegjësi.

I pyetur për gjendjen e tanishme të marrëdhënies dypalëshe, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se ka patur përparim të konsiderueshëm gjatë 16 muajve të fundit, duke përmendur arritjen e një armëpushimi në Jemen.

“Marrëdhënia është tashmë në një stad të qëndrueshëm. Na mundëson të mbështesim, mbrojmë dhe çojmë përpara interesat tona, ashtu siç vazhdojmë të ruajmë në epiqendër vlerat që ne ndajmë me vendet në mbarë botën”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Zoti Ridel thotë se dhënia fund luftës, vuajtjeve dhe urisë në Jemen është një përparësi jetike për Presidentin Biden.

“Asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme në marrëdhënien tonë me Arabinë Saudite se sa vazhdimi i këtij procesi drejt një zgjidhjeje politike dhe përfundimit të luftës. Presidenti mundet vërtet të shpëtojë dhjetëra jetë njerëzish nëse mundëson vazhdimin e këtij armëpushimi dhe arritjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit”, thotë zoti Riedel.

Vështirësitë e krijuara në Shtetet e Bashkuara nga çmimet e rritura të karburantit janë gjithashtu një shtysë e fortë për Presidentin Biden që të “rikalibrojë” marrëdhëniet me Arabinë Saudite, thotë një tjetër ekspert.

“Sigurisht që presidenti do të përqëndrohet tek biseda për prodhimin (e naftës) dhe që Arabia Saudite të rrisë prodhimin e saj për të përmbushur nevojat globale, në një kohë kur kemi çmime të larta për fuçi nafte”, thotë Jonathan Katz, nga Fondi Gjerman Marshall.

Ekspertët thonë se as Arabia Saudite nuk do të mundet e vetme të ulë çmimet e naftës, ndërkohë që eksportet ruse po bien ndërsa vendet evropiane po ndërpresin blerjet e karburantit nga Moska.

Show More

Related Articles

Back to top button