LajmeRajon

Angazhim i shtuar ndërkombëtar për një marrëveshje Kosovë-Serbi

Diplomatët amerikanë dhe evropianë po vizitojnë këto ditë një pas një Kosovën dhe Serbinë në përpjekje që të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje gjithpërfshirëse. Në këtë angazhim është përfshirë edhe NATO.

Ky vit ka filluar me një dinamikë të shtuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe vizita të njëpasnjëshme të diplomatëve perëndimorë të angazhuar drejtpërdrejt në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Të mërkurën në Kosovë qëndron këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili po ashtu do të vizitojë edhe Beogradin.

Në Kosovë siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, Chollet takon “zyrtarët e lartë qeveritarë, liderët e tjerë politikë dhe shoqërinë civile, për të diskutuar përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar avancimin e integrimeve Euro-Atlantike për Kosovën. Këtu përfshihet edhe angazhimi nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuar në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Më 12 janar, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Beograd, “ku do të diskutojë rreth rolit të Serbisë për përforcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Kurti: Serbia ka refuzuar planin franko-gjerman
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, këtë vizitë të zyrtarit të lartë amerikan e sheh shumë të rëndësishme, sepse sipas tij “vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i invazionit rus në Ukrainë”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerë edhe aleatët tonë andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale, pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, tha kryeministri Kurti pas një takimi me kryetarët e komunave të Kosovës.

Kurti ka theksuar se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman, ndërsa Qeveria e Kosovës e ka konsideruar atë si bazë të mirë për diskutim. “Planin e Bashkimit Evropian të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e këshillit nacional të sigurisë të mbajtur në Beograd më 27 tetor të vitit 2022, konkluzion unanim i refuzimit të këtij propozimi që u bë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu Ivica Daçiq në nëntor të vitit të shkuar ka theksuar, se “thelbi i planit franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, pasi plani nis me faktin që Kosova është e pavarur”.

Takim tre palësh për Kosovën
Zhvillimet në veri të Kosovës në fundvitin e shkuar rritën shqetësimin ndërkombëtar. Në fillim të kësaj jave në një takim trepalësh mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneralin Mirçea Geoana dhe me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u diskutua për situatën në Kosovë dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Diskutuam zhvillimet e fundit në dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht çështjet në NATO”, shkroi Lajçak në Twitter.

Nga zyra për informim e NATO-s ndërkaq, u tha se takimi i tyre ishte pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor. Zëvendës sekretari i Përgjithshëm, Mirçea Geoana, nga ana e tij, e nënvizoi mbështetjen kryesore të ofruar nga misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe misioni EULEX i udhëhequr nga BE-ja në largimin e barrikadave, të cilat kanë ndihmuar në rivendosjen e plotë të lirisë së lëvizjes në mbarë Kosovën.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin-dhe të gjitha përpjekjet që synojnë avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Të dialogohet për planin franko-gjerman
Por si e shohin analistët politikë këtë angazhim të shtuar amerikan dhe evropian rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe përpjekjeve për të arritur një marrëveshje?

Blerim Burjani, njohës i zhvillimeve politike i tha DW-së se interesimi i shtuar i diplomatëve perendimorë ka të bëjë me gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi. “Mendoj se do të angazhohen përfundimisht që në një kohë sa më të shpejtë të arrijnë marrëveshjen përfundimtare. Nuk ka nevojë më të flitet për çështje teknike. Më së miri është të dialogohet për një pako përfundimtare të marrëveshjes, pra, mos të filloj dialogu për Asociacionin e Komunave Serbe, që mendoj se e bllokon marrëveshjen përfundimtare. Pra, më korrekt, më mirë dhe e duhur do të ishte të dialogohet për dokumentin franko-gjerman”, tha Burjani.

Sipas tij, Serbia vazhdimisht do të ikë nga ky plan, për faktin që nuk vlerëson se ky plan i plotëson kërkesat e tyre.

“Gjithmonë Serbia sa herë që shkon në dialog, e mendon statusin territorial, por, jo normalizimin, për këtë arsye më parë është e interesuar për Asociacionin e Komunave, sesa për të tjerat”.

Sipas Burjanit, Kurti nuk mund të pranojë asociacion puro etnik, sepse, herët e vonë mund të hapet mundësia për ndarje territoriale. Por situata është kritike për kryeministrin Kurti dhe kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova duhet të nisë bisedimet për themelimin e Asociacionit, thekson Burjani për DW.

Si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë, se presin angazhim të fuqishëm nga Kosova e Serbia për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë mes dy vendeve. Aktualisht, në tavolinë është propozimi “franko-gjerman”, për arritjen e një marrëveshjeje mes të dy palëve dhe këshilltarët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman, që sollën planin në Prishtinë dhe Beograd, sërish gjatë janarit do ta vizitojnë Kosovën e Serbinë. /DW

Show More

Related Articles

Back to top button