Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se paga minimale nga 18.000 denarë që është tani, do të bëhet 20.000 denarë, përcjell TV21. Bekteshi theksoi se për 6 vjet, është arritur që paga minimale të dyfishohet
“Pritshmëritë, në bazë të të dhënave preliminare që i kemi nga ESHS tregojnë që paga minimale do të jetë diku rreth 20 mijë denarë, që nëse e krahasojmë me atë që e kishim para pesë viteve, është dyfish më e madhe, kishim pagë minimale 9.900 denarë, tash arritëm në afat të 6 viteve ta dyfishojmë pagën minimale. Kjo nuk do të jetë masë e vetme, me siguri që do të vazhdojmë të gjithë së bashku si Qeveri të rrisim pagat edhe për të punësuarit e tjerë, në sektorin publik dhe privat”, tha Bekteshi.