Banka Botërore njoftoi se është miratuar financimi shtesë prej rreth 1.5 miliardë dollarësh për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga banka thuhet se financimi i ri është një pjesë e paketës mbështetëse që tejkalon 4 miliardë dollarë që Banka Botërore ka vënë në veprim.
Nga ky fond në fjalë janë shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë, thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore kanë miratuar financimin shtesë prej 1.49 miliardë dollarë për Ukrainën me qëllim për të mbështetur shpenzimet publike në vend.
Financimi i ri do të përdoret për të paguar pagat e punonjësve të qeverisë dhe të shërbimeve sociale.
Për burimin e ri janë përdorur garanci financiare të dhëna nga Britania e Madhe, Holanda, Lituania dhe Letonia dhe se burimi është mbështetur edhe me financimin paralel të ardhur nga Italia dhe kontributet e bëra nga Fondi i Mirëbesimit me shumë donatorë.
Në deklaratën ku përmenden mendimet e kreut të Bankës Botërore, David Malpass theksohet se përballë luftës që vazhdon Grupi i Bankës Botërore ka siguruar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe popullin e saj.
“Po punojmë së bashku me vendet që japin donacione për të përfituar nga fleksibiliteti i instrumenteve tona të ndryshme financuese me qëllim për të mobilizuar mbështetjen financiare dhe për të ndihmuar ukrainasit të kenë qasje në shërbimet shëndetësore, arsim dhe mbrojtjen sociale”, tha Malpass.