BotaLajme

SHBA i bën thirrje Koresë së Veriut t’i kthehet dialogut

Testimet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut janë provokime “serioze dhe të paligjshme”, thanë më 8 qershor zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, duke i bërë thirrje Phenjainit që t’i kthehet dialogut dhe të pranojë ofertën për ndihmë për koronavirusin.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong, dhe zëvendësministri i Jashtëm japonez, Takeo Mori, i bën këto komente teksa u mblodhën në Seul, tri ditë pasi Koreja e Veriut kreu një seri testesh të raketave.

Ky është takimi i parë i zyrtarëve të këtyre tre shteteve që prej nëntorit dhe ata shprehën shqetësimin e tyre për intensifikimin e testimeve të armëve nga Koreja e Veriut.

Seuli dhe Uashingtoni kanë thënë se Koreja e Veriut është e gatshme që të kryejë testimin e parë bërthamor që prej vitit 2017 dhe Sherman ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të pasohej me një kundërpërgjigje të fortë dhe të qartë.

Në deklaratën e përbashkët, zyrtarët e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë i bën thirrje Phenjanit që të respektojë sanksionet ndërkombëtare dhe të shmangë veprimet që mund të “përshkallëzojnë tensionet apo të destabilizojnë rajonin”.

Po ashtu, të tri vendet u zotuan se do të rrisin bashkëpunimin e sigurisë për të adresuar kërcënimet e Koresë së Veriut.

“Zyrtarët shprehën qëndrimin se rruga për një dialog serioz dhe të qëndrueshëm mbetet e hapur dhe kërkuan nga Koreja e Veriut t’i kthehet negociatave, duke shprehur shpresë se Phenjani do t’i përgjigjet pozitivisht ofertave për ndihmë ndërkombëtare për të luftuar pandeminë COVID-19”, u tha në deklaratën e përbashkët.

Koreja e Veriut ka kryer të paktën 18 runde të testeve të armëve gjatë këtij viti, duke shfaqur zhvillimin e arsenalit të raketave bërthamore.

Në testimin e fundit, Koreja e Veriut lëshoi tetë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, një ditë pasi Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

Të hënën, më 6 qershor, këto dy shtete lëshuan tetë raketa tokë-tokë si paralajmërim për Korenë e Veriut. /REL/

Show More

Related Articles

Back to top button